Këtë të hënë, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka folur nga jashtë ambienteve të SPAK, ku ka hedhur sërish akuza ndaj gjyqtares, Irena Gjoka, ndërsa bën publik një dokument që sipas Berishës ajo ka hyrë në Greqi me vizë të falsifikuar.
Berisha deklaron se gjyqtares i kanë vendosur ekspuls autoritetet greke, por ajo nuk e ka deklaruar.
Sipas tij, kjo është një krim dhe se Irena Gjoka, duhet ta kishte deklaruar në formularin e dekriminalizimit.
“Fytyra e reformës në drejtësi, ikona e kësaj reforma është Irena Maneku Gjoka Spata. Një kriminele e dënuar me vendim të formës së prere të drejtësisë greke për falsifikim të vizës dhe që i ka fshehur vendimin, që sipas ligjit dhe kushtetutës së Shqipërisë e ndalon atë të ushtrojë detyrën apo funksionin e magjistratit. Irena me 5 mbiemra ka fshehur ekspulsin dhe nuk e ka deklaruar. Kjo përben vepër penale.
Institucionet e kapura të KLGJ, SPAK, ILD nuk veprojnë për këtë krim flagrant. Sot paraqes provën e re, vërtetimin e lëshuar nga drejtoria e policisë së Greqisë, ku vërtetohet ekspulsi nga territori grek, si pasojë e hyrjes në territorin grek me vizë të falsifikuar.
Ky është dokument origjinal i lëshuar nga policia greke me vulë apostile. Ky dokument fshihet nga Altin Troplini”, u shpreh Berisha.

