Të tjera detaje janë zbardhur nga arsenali i armëve të zbuluara një ditë më parë në zonën e “Myslym Shyrit” në Tiranë.
Mësohet se furgoni me të cilën trafikantët kamufloheshin me mbishkrimin “Mirëmbajtja Rrugore”, ishte në emër të personit të arrestuar, shtetasit Eugert Sino.
Të lidhura
None found
Sino i marrë në pyetje mbrëmjen e djeshme nga policia, ka mohuar të ketë lidhje me armët me argumentin se nuk ka dieni kush i ka futur aty, në një kohë që furgoni qëndronte i parkuar pranë banesës së tij.
Mësohet mjeti me mbishkrimin “Mirëmbajtja Rrugore”, kishte më shumë se një muaj që qëndronte i parkuar në zonë dhe se është ruajtur me efektivë civilë, për të zbuluar kush hynte dhe kush dilte nga furgoni.
Fillimisht është ndërhyrë nga Policia Rrugore, si një manovër e agjentëve të policisë, me argumentin se kishte bllokuar rrugën dhe sapo janë konstatuar armët është bërë ndërhyrja nga agjentët e krimeve.
Armët do përdoreshin për ngjarje kriminale
Sipas burimeve msëohet se armët e kapura në Tiranë, dyshohet se ishin planifikuar të përdoreshin në ngjarje kriminale nga një grup kriminal me bazë në Tiranë, Laç dhe Burrel.
Hetuesit kanë zbuluar, përveç automjetit që u kap në zonën e “Myslym Shyrit”, edhe bazën kryesore të grupit, ku mbaheshin armët, në po të njëjtën zonë në afërsi.
Armët e kapura janë relativisht të reja, dhe dyshohet se janë trafikuar nga Kosova, por nuk kanë lidhje me goditjet e mëparshme që janë bërë për trafik armësh.
Hetuesit po punojnë për identifikimin e personave të tjerë që mund të jenë pjesë e rrjetit.
Njoftimi
Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë
Finalizohet nga Sektori i Krimeve të Rënda, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr. 2, operacioni policor i koduar “The van”.
Zbulohet një bazë ku ishte fshehur një arsenal armësh të dyshuara të trafikuara.
Sekuestrohen 23 armë zjarri (5 prej tyre me snajper), 1 silenciator, 17 krehra me municion luftarak, celularë dhe pajisje për shpërthime në distancë, paisje për bllokimin e valëve, uniforma si të Policisë dhe sende të tjera të kundërligjshme.
Vihet në pranga 34-vjeçari që dyshohet se i posedonte.
Identifikohen dhe shpallen në kërkim 2 shtetas të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.
Si rezultat i administrimit të shpejtë të informacioneve të siguruara në rrugë operative, për një shtetas që posedonte arsenal armësh, Sektori i Krimeve të Rënda, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr. 2, ditën e sotme, ka zhvilluar në drejtimin e Prokurorisë, operacionin e koduar “The van”. Në kuadër të këtij operacioni:
-u arrestua shtetasi E. S., 34 vjeç, banues në Tiranë si dhe u shpallën në kërkim 2 shtetas, gjeneralitet e të cilëve nuk bëhen të ditur për shkak të hetimit.
Gjatë operacionit, në rrugën “Myslym Shyri”, gjatë kontrollit në furgonin e shtetasit E. S. u gjetën:
-12 armë zjarri pistoletë të markave “Beretta”, “Glock”, “Rex Delta”, “Ruger-57” dhe “Tanfoglio”;
-6 armë zjarri automatike;
-5 armë zjarri me tytë të gjatë (me shënjestër optike, të ngjashme me snajper);
-1 silenciator;
-17 krehra për armë zjarri të ndryshme;
-pjesë të ndryshme armësh zjarri;
-15 000 fishekë;
-17 kuti me pranga të ngjashme me ato që përdoren nga Policia;
-12 celularë dhe pajisje që përdoren për shpërthime në distancë;
-pajisje elektronike gjurmuese (GPS);
-pajisje për bllokimin e valëve;
-pajisje për numërimin e kartëmonedhave;
-3 komplete uniformash të ngjashme me ato të Policisë.
Vijon puna për kapjen e 2 shtetasve të shpallur në kërkim, identifikimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë që mund të jenë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale, si dhe për zbardhjen e qëllimit të mbajtjes së arsenalit të armëve dhe të pajisjeve të sekuestruara.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Trafikimi i armëve dhe i municionit” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.
