Albin Kurti nuk siguroi numrat për qeverinë e re, vjen reagimi i parë nga Presidenca! A do shkojë Kosova në zgjedhjet e parakohshme?

Këshilltari i presidentes Vjosa Osmani, Bekim Kupina ka reaguar pas dështimit të formimit të qeverisë së re të Albin Kurtit.

Për mediat vendase Kupina është shprehur se presidentja Osmani në ditët në vijim do t’i ftojë partitë politikë për konsultime.

“Presidentja Osmani do t’i ftojë partitë politike për konsultime gjithsesi brenda afatit kushtetues dhe në përputhje me përgjegjësitë kushtetuese,” deklaroi për RTK-në këshilltari i saj për media, Bekim Kupina.

Në seancën e sotme, propozimi për kabinetin “Kurti 3” mori vetëm 56 vota pro, ndërsa 52 deputetë votuan kundër dhe 4 abstenuan, duke e bërë të pamundur formimin e qeverisë së re.

Lëvizja Vetëvendosje e Kurtit kishte “varur” shpresat në arritjen e një marrëveshjeje me subjektet e tjera politike, por pas gjashtë muajsh nga zgjedhjet, nuk arriti të binte dakord me asnjërën prej tyre.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje Hekuran Murati, njëherësh ministër në detyrë i Financave, i ka akuzuar deputetët e partive tjera se e kanë vendosur përpara inatin.

Ai ka thënë se partia të cilës i takon nuk është vonuar asnjë ditë dhe që prej certifikimit të rezultateve i ka kryer të gjitha detyrat brenda afateve kushtetuese.

“Të gjitha zvarritjet, të gjitha vonesat, siç është parë edhe sot kanë qenë në mënyrë që të bllokohet qoftë formimi i Kuvendit, qoftë formimi i Qeverisë nga fituesi i zgjedhjeve dhe të krijohet një ambient kur të gjitha partitë opozitare barrikadohen dhe ankohen pse nuk ka marrëveshje politike, por kur atyre u ofrohet e njëjta, ato refuzojnë”, tha ai.

Çfarë ndodhi sot:

-Albin Kurti prezantoi emrat e ministrave me të cilët do të shkonte në mandatin e tretë.

– Albin Kurti, kryeministër në detyrë dhe mandatar për të formuar Qeverinë e re, nuk i ka siguruar 61 votat e nevojshme për të nisur një mandat të ri në pushtet.

-Tani i takon presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani që të vendosë për hapat e mëtejmë.

– Partitë e mëdha shqiptare, Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, kanë thënë paraprakisht se s’kanë votë për Kurtin dhe e kanë akuzuar atë për bllokim të shtetit prej zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit. Sipas tyre, mundësia e vetme për stabilitet janë zgjedhje e reja.

– Kriza institucionale rrezikon t’i kushtojë Kosovës miliona euro, ndërsa faktori ndërkombëtar ka bërë thirrje të vazhdueshme që të krijohen institucionet për të ruajtur stabilitetin shtetëror.


Shtuar 26.10.2025 16:20