KLGJ emëron 42 gjyqtarë të rinj në 11 gjykata të vendit

Këshilli i Lartë Gjyqësor ka caktuar sot në detyrë 42 gjyqtarët e rinj, të cilët i bashkohen sistemit gjyqësor.

KLGJ i ka shpërndarë gjyqtarët e rinj në 11 gjykata në qytetet e Beratit, Elbasanit, Fierit, Gjirokastrës, Korçës, Kukësit dhe Lezhës.

Emërimi i tyre si gjyqtarë u krye më 31 korrik, ndërsa caktimi konkret në gjykata është bërë sot, pas gati tre muajsh.

Këshilli do të organizojë nesër ceremoninë e betimit të 42 gjyqtarëve të rinj, të cilët kanë përfunduar Shkollën e Magjistraturës në vitin akademik 2022-2025.

Shpërndarja e gjyqtarëve është si në vijim: tre në Gjykatën e Shkallës së parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Berat; shtatë në gjykatën e Shkallës së parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan; shtatë në Gjykatën e Shkallës së parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier; dy në Gjykatën e Shkallës së parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër; dy në Gjykatën e Shkallës së parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë.

Po ashtu dy gjyqtarë u caktuan në Gjykatën e Shkallës së parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës; katër në Gjykatën e Shkallës së parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë; një në Gjykatën e Shkallës së parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë; pesë në Gjykatën e Shkallës së parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër; dy në Gjykatën e Shkallës së parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë; shtatë në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë Lushnjë.


Shtuar 22.10.2025 17:14