I dyshuar për pjesëmarrje në atentatin ndaj Arjan Ndojës, ekstradohet sot nga Dubai Amar Shkëmbi

Ditën e sotme, pritet ekstradimi nga Dubai i Amar Shkëmbi alias Dritan Shkëmbi, i cili dyshohet si pjesëmarrës në atentatin te mbikalimi i Shkozetit ndaj ish- prokurorit Arjan Ndoja.

Amar Shkëmbi, akuzohet si anëtar i grupit të Plarent Dervishajt.

Kujtojmë se në atentat u plagos Arjan Ndoja dhe Aleksandër Laho, i njohur edhe si Rrumi. Ndërkohë humbi jetën shoferi i ish-prokurorit, Andi Maloku.

“Në vijim të bashkëpunimit të ngushtë me partnerët ndërkombëtarë, me qëllim lokalizimin, arrestimin dhe ekstradimin e shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar, ditën e sotme, pritet të ekstradohet nga Dubai, Emiratet e Bashkuara Arabe, në Shqipëri, shtetasi A. Sh. alias D. Sh..

Gjykara e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, në vitin 2022, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja e funksionarëve publikë”, mbetur në tentativë, “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje” dhe “Vjedhja”, kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal”, thuhet në njoftimin e policisë.


Shtuar 13.10.2025 12:40