Pjesë e grupit të Edison Pulës dhe i akuzuar për vjedhje në vilën e biznesmenit, del foto e Imer Krrashit që tentoi t’i arratiset policisë në Tiranë

Personi në foto është Imer Krrashi, 31-vjeçari i cili tentoi t’i shpëtojë ndjekjes së policisë në Tiranë pasi në automjetin e tij kishte një armë zjarri.

Blutë e Tiranës u vunë në ndjekje të të riut i cili gjatë tentativës për arratisje u përplas me nëntë automjete dhe një motor, ku mbetën të plagosur një efektiv policie dhe gruaja e tij.

Sipas raportimeve, 31-vjeçari me disa identitete rezulton me precedent të theksuar kriminal ndërsa jashtë vendit akuzohet për kryerjen e disa vjedhjeve.

Policia e Tiranës ka publikuar edhe pamjet nga momenti kur i riu ndalohet nga patrulla dhe pyetet nëse ka në automjet sende të jashtligjshme.

Në momentin që policia i kërkon të fikë automjetin për të ushtruar një kontroll, i riu i jep gaz makinës dhe largohet. Pas disa minutash ndjekjeje nga “Shqiponjat”, i riu Imer Krrashi arrestohet nga policia.

Imer Krrashi është dënuar në Itali për vjedhje, ndërsa ka qenë edhe pjesë e grupit të Edison Pulës. Edison Pula dhe Imer Krrashi u arrestuan në shkurt të vitit 2022 nga policia italiane.

Pula, 27- vjeç në atë kohë akuzohej për 50 vjedhje në Trentino. Ata ishin protagonistët e shumë ngjarjeve kriminale, por njëra prej të cilave ka bërë më shumë bujë është më 14 nëntor 2021, në Marok të Mogliano Veneto, brenda vilës së biznesmenit Giancarlo Miotto


Shtuar 5.10.2025 17:17