Mbrëmjen e djeshme, teksa ishte i ftuar në emisionin “Opinion”, analisti Baton Haxhiu, komentoi shkarkimin e Erion Veliajt nga posti i kryebashkiakut të Tiranës, me arsyetimin se ka mbi tre muaj që nuk është paraqitur në detyrë.
Vendimi për largimin e tij u mor nga Këshilli Bashkiak, ku 50 anëtarë votuan pro shkarkimit.
Haxhiu lidhur me këtë ngjarje të sferës politike u shpreh se; në vlerësimin e tij, Veliaj nuk duhej të mbahej në paraburgim, por në arrest shtëpiak, duke theksuar se procesi penal ndaj tij është kthyer në një ngjarje me përmasa politike.
Sipas analistit, Veliaj po ndërton një strategji për të krijuar një imazh të viktimës politike, me qëllim konsolidimin e figurës së tij si lider i së ardhmes.
Më tej, Haxhiu analizoi edhe përfshirjen e opozitës në këtë situatë, duke theksuar se ish-kryeministri Sali Berisha, ka projektuar një përçarje të brendshme në Partinë Socialiste, duke synuar krijimin e një poli të ri politik që do të përfshinte edhe vetë Veliajn si një figurë të pranueshme për një pjesë të spektrit opozitar.
Gjithashtu ai shtoi se, pavarësisht përpjekjeve të palëve për të ndërtuar skenarë të ndryshëm politikë, ka qenë vetë kryeministri Edi Rama, ai që ka kapur momentin e duhur për të ndërhyrë dhe për të larguar Veliajn nga drejtimi i Bashkisë së Tiranës, duke mbyllur një kapitull të tensionuar politik dhe institucional për mazhorancën.
“Ai e ka pritur këtë herë që SPAK dhe opozita të jenë në krah të tij dhe në këtë moment të krijohet një pol i ri politik, ku opozita të jetë në krah. Strategjikisht nëse opozita është dashur që të bëjë një luftë brenda lirisë politike. Berisha e ka projektuar një përçarje brenda Partisë Socialiste. E drejta e tij është faktikisht që të ndërtojë një strategji të tillë dhe unë mendoj se e ka udhëhequr për një kohë të gjatë bukur mirë. Fakti që Berisha e përcaktoi Ramën si njeriu i cili e ka futur në burg, tregon se përçarja ka nisur që në fillim. Ata e kanë projektuar të vetmen mundësi që mund t’i kundërvihet Edi Ramës, ka qenë strategji e opozitës, por edhe viktimizim i Erion Veliajt. Por kanë harruar një njeri që ka lexuar strategjitë e të dyja palëve dhe ai është kryeministri Rama. Ai kapi momentin e duhur për të shkarkuar Veliajn”.