Përbërja e komisioneve të përhershme, Kuvendi mblidhet sot në seancë plenare

Këtë të mërkurë, seanca plenare e Kuvendit të Shqipërisë, do të zhvillohet në orën 10:00, pas urdhrit të Kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi.

Në rend të ditës për këtë seancë janë projektvendimi “Për caktimin e përbërjes së komisioneve të përhershme të Kuvendit” si dhe projektvendimi “Për caktimin e anëtarëve zëvendësues në përbërjen e komisioneve të përhershme të Kuvendit”.

Ditën e hënë, nën drejtimin e Kryetarit të Kuvendit Niko Peleshi, u zhvillua mbledhja e Konferencës së Kryetarëve ku u miratua lista e anëtarëve të komisioneve të përhershme të Kuvendit dhe lista e anëtarëve zëvendësues në përbërjen e komisioneve të përhershme të Kuvendit.

Në lidhje me dy pikat e rendit të ditës, ishin depozituar propozime vetëm nga grupi parlamentar i Partisë Socialiste dhe çështja i kaloi për miratim seancës plenare.

Në seancën plenare të 16 shtatorit, Kuvendi miratoi ndryshimet e propozuara nga mazhoranca në rregulloren e parlamentit, me 79 vota pro, 0 kundër dhe 0 abstenim.

Ndryshimet, ndër të tjera parashikojnë kalimin e Kuvendit me 11 komisione parlamentare të përhershme.

Vendimi u kundërshtua nga opozita, e cila ka paralajmëruar se do ta çojë në Kushtetuese. Sipas opozitës, ndryshimi në rregulloren e Kuvendit nuk duhej kaluar me procedurë të përshpejtuar, por me procedurë normale paralamentare dhe me dakordësinë e pakicës në Kuvend.

Lista e 11 komisioneve të përhershme të Kuvendit:

Komisioni për Ekonominë, Punësimin dhe Financat

Komisioni për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike

Komisioni për Çështjet e Brendshme dhe Mbrojtjen

Komisioni për Edukimin, Shkencën dhe Sportet

Komisioni për Shëndetësinë dhe Mirëqenien Sociale

Komisioni për Burimet Natyrore, Infrastrukturën dhe Zhvillimin e Qëndrueshëm

Komisioni për të Drejtat e Njeriut dhe Mjetet e Informimit Publik

Komisioni për Bujqësinë, Ushqimin dhe Zhvillimin Rural

Komisioni për Kulturën, Turizmin dhe Diasporën

Komisioni për Europën dhe Punët e Jashtme

Komisioni për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale

Ndërsa seanca e fundit plenare, ajo e datës 18 shtator u mbyll për 25 minuta pas tensioneve dhe dhunës së deputetëve të opozitës.

Gjatë seancës, kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, propozoi që të kalohej menjëherë ne procesin e votimit për shkak se opozita pengoi fjalën e kryeministrit Edi Rama, për prezantimin e programit qeverisës dhe përbërjen e qeverisë.

Projektvendimi “Për miratimin e programit politik dhe përbërjes së Këshillit të Ministrave”, u miratua me 82 vota pro, 0 kundër dhe 0 abstenim./ ATA


Shtuar 24.09.2025 09:03