Qeveria ka vendosur si objektiv arritjen e një pensioni mesatar prej 400 eurosh, për ata individë që kanë kontribuar plotësisht në sistemin e sigurimeve shoqërore, si dhe një pension minimal prej 200 eurosh deri në vitin 2030.
Ky plan është pjesë e një strategjie më të gjerë për forcimin e mbrojtjes sociale dhe përmirësimin e standardit të jetesës për pensionistët.
Për realizimin e këtij qëllimi, autoritetet shqiptare po bashkëpunojnë ngushtë me ekspertë të Bankës Botërore, për të hartuar një reformë të re të sistemit të pensioneve, e cila ka si qëllim të përmirësojë mbështetje për mbi 721 mijë pensionistë në vend.
Po ashtu, qeveria është angazhuar për një digjitalizim të plotë të sistemit të sigurimeve shoqërore, që do të mundësojë ofrimin e shërbimeve më të shpejta dhe më të aksesueshme për qytetarët, duke rritur transparencën dhe gjurmueshmërinë e kontributeve.
Ky proces synon gjithashtu uljen e informalitetit në tregun e punës dhe inkurajimin e deklarimit të pagave reale.
Një komponent i rëndësishëm i këtij plani, është angazhimi për uljen e informalitetit dhe ofrimi i këshillimit të vazhdueshëm për punëdhënësit dhe punëmarrësit.
Kjo do të kontribuojë në rritjen e bazës së kontributeve dhe përmirësimin e nivelit të pensioneve.
Sipas parashikimeve, deri në vitin 2030, pensionet do të përbëjnë rreth 40% të të ardhurave që individët kanë fituar gjatë periudhës së punës, duke siguruar një të ardhme më të sigurt dhe dinjitoze për qytetarët.
Një tjetër nismë e rëndësishme është implementimi i portabilitetit ndërkufitar të përfitimeve të pensioneve, përmes të cilit qeveria ka nënshkruar deri tani marrëveshje me 16 shtete për njohjen e ndërsjellë të kontributeve dhe përfitimeve për pension.
Kjo do të mundësojë njohjen e kontributeve, për ata qytetarë shqiptarë që kanë punuar jashtë vendit.
Në vitin 2024, numri i kontribuesve në skemën e sigurimeve shoqërore ka arritur në 805,416 persona, duke u rritur me 22,164 individë krahasuar me vitin 2023, ose një rritje prej 3%.
Aktualisht, pensioni mesatar në Shqipëri është rreth 300 euro, një rritje e konsiderueshme krahasuar me 111 euro që ishte në vitin 2013.