Pak ditë më parë një anije mallrash e kompanisë Ever Given, bllokoi për 1 javë kanalin e Suezit duke shkaktuar kaos dhe vonesa të mëdha.
Mediat e huaja bëjnë me dije se kjo kompani, do t’i paguajë Egjiptit si dëmshpërblim 550 milion dollarë.
Marrëveshja mes kompanisë dhe qeverisë egjiptiane është arritur të hënën. Kajro kërkoi fillimisht 2 mld dollarë dëmshpërblim për bllokimin e kanalit, nga i cili siguron miliona dollarë të ardhura çdo ditë për shkak të trafikut të madh, kryesisht të anijeve çisternë dhe atyre me mallra nga Kina.
Egjipti sekuestroi anijen me të dalë kjo e fundit nga Kanali i Suezit, ndërsa kompania fillimisht refuzoi që të paguante dëmshpërblim duke hedhur dyshime se bllokimi i kanalit kishte ndodhur për shkak të udhëzimeve të gabuara të autoriteteve egjiptiane.
Anija Ever Given, me një gjatësi prej 400 metrash u bllokua skiç në kanalin e Suezit. Anija hapi rrugën gjashtë ditë më vonë pas një operacioni shpëtimi që përfshinte një flotilje anije tërheqëse dhe anije pastrimi, dhe gjatë së cilës një person u vra.
Tregtia globale u godit me humbje që përllogariteshin deri në 2 mld dollarë në ditë, pasi qindra anije duhej të prisnin për të kaluar përmes rrugës ujore 193 km, e cila lidh Detin Mesdhe me Detin e Kuq dhe siguron lidhjen më të shkurtër detare midis Azisë dhe Evropës.