Një studim i ri zbulon se të qenit shumë i dobët, mund të jetë më i dëmshëm për shëndetin tuaj sesa të qenit mbipeshë.
Studiuesit shtojnë se është gjithashtu e mundur të jesh “i shëndoshë, por në formë të mirë”, varësisht nga mënyra se si shpërndahet dhjami i trupit tuaj dhe sa mirë funksionon metabolizmi juaj.
Duke krahasuar kategori të ndryshme të indeksit të masës trupore (BMI), studiuesit arritën në disa përfundime të papritura:
1. Nënpeshë (BMI ≤ 18.5): Pjesëmarrësit përballeshin me një rrezik vdekjeje 2.7 herë më të madh krahasuar me grupin e referencës.
Pesha normale e ulët (BMI 18.5–20.0): Dy herë më shumë rrezik vdekjeje.
Pesha mesatare normale (BMI 20.0–22.5): rrezik 27% më i lartë vdekjeje.
2. Mbipesha (BMI 25–30): Nuk ka rrezik të shtuar krahasuar me ata në diapazonin e sipërm normal të BMI-së (22.5–25).
Obeziteti i Klasës I (BMI 30–35): Nuk ka rritje të ndjeshme të rrezikut.
Obeziteti i Klasës II (BMI 35–40): rrezik 23% më i lartë vdekjeje.
Këto gjetje sugjerojnë që njerëzit me mbipeshë të moderuar, mund të mos përballen me aq rrezik sa mendohej më parë, ndërsa njerëzit nën peshë mund të përballen me rreziqe shëndetësore që janë nënvlerësuar deri më tani.
Studimi nxjerr në pah konceptin e “obezitetit metabolikisht të shëndetshëm”. Individët në këtë grup, të cilët bien në kategoritë e mbipeshës ose obezitetit të ulët, mund të ruajnë shëndet të mirë metabolik, duke zvogëluar rrezikun e përgjithshëm të vdekjes së parakohshme.
Shpërndarja e yndyrës trupore ka rëndësi
Gjetjet i shtohen një numri gjithnjë e në rritje kërkimesh që sugjerojnë se vendi ku ruhet dhjami mund të jetë më i rëndësishëm sesa vetë pesha.
Një studim i kohëve të fundit i botuar në European Heart Journal zbuloi se dhjami visceral – dhjami i fshehur i ruajtur rreth organeve jetësore si mëlçia dhe zorrët – përshpejton plakjen e zemrës, madje edhe tek njerëzit që duken të dobët.
Në të kundërt, dhjami i ruajtur rreth vitheve dhe kofshëve (“trupat në formë dardhe”) mund të jetë mbrojtës, veçanërisht për gratë.
Burrat me trupa “në formë molle”, të cilët kanë më shumë dhjamë në bark, treguan shenja të plakjes më të shpejtë kardiovaskulare, gjë që sinjalizon një rrezik më të madh për sëmundje të zemrës.
Ndërsa rreziqet e obezitetit kanë qenë prej kohësh të njohura, studimi aktual sugjeron që të qenit nën peshë mund të mbartë një rrezik të barabartë ose edhe më të madh.
Studiuesit paralajmërojnë se shëndeti nuk përcaktohet vetëm nga pesha – faktorë të tillë si shpërndarja e yndyrës , shëndeti metabolik dhe sëmundjet themelore luajnë gjithashtu një rol.