Gjykata e Lartë, ka caktuar datën 2 tetor, ora 13:35, për të shqyrtuar kërkesën e bërë nga kryebashkiaku Erion Veliaj, për ndryshim të masës së sigurisë “arrest me burg”.
Dokumentacioni për rekursin është regjistruar në Gjykatën e Lartë në datën 10 shtator dhe do të shqyrtohet brenda afateve ligjore.
Ndërkohë, këtë të enjte, Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ka hedhur shortin për çështjen penale ndaj Veliajt dhe 29 të pandehurve të tjerë.
Si gjyqtare për seancën paraprake, është caktuar Etleva Deda.
Prokuroria e Posaçme (SPAK), ka ngritur një numër të konsiderueshëm akuzash ndaj kryebashkiakut të Tiranës, 13 akuza, mes të cilave korrupsion pasiv, pastrim parash dhe shpërdorim detyre.
Gjithashtu, edhe bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa, përballet me 11 akuza penale në të njëjtën dosje.
Dosja e Veliajt per gjykim
Prokuroria thotë se hetimet provuan marrjen e rryshfeteve nga Veliaj dhe Xoxa në 9 raste. “Në përfundim të hetimeve paraprake, ka rezultuar e provuar se të pandehurit Erion Veliaj dhe Ajola Xoxa, në bashkëpunim mes tyre, në 9 raste të veçanta, kanë marrë përfitime të parregullta në formën e shumave monetare dhe pasurive të paluajtshme nga subjekte tregtare dhe organizata jofitimprurëse (përmendur më sipër), të cilët nga ana e tyre kanë marrë leje ndërtimi dhe përfituar fonde publike nga Bashkia Tiranë”, thuhet në njoftimin për shtyp. Veliaj dhe Xoxa i mohojnë akuzat.
Sipas SPAK, nga hetimi penal janë grumbulluar të dhëna konkrete “të cilat provojnë përtej çdo dyshimi të arsyeshëm se i pandehuri Erion Veliaj, në cilësinë e kryetarit të Bashkisë Tiranë, me nënshkrimin e tij ka miratuar në çdo rast shpërndarjen e këtyre fondeve”.
Prokuroria rendit në kërkesën për gjykim 13 akuza ndaj kryetarit të Bashkisë së Tiranës: 9 raste të korrupsionit pasiv, si dhe akuzat për “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” në bashkëpunim, “fshehje pasurie” dhe “shpërdorim të detyrës”. Veliaj akuzohet gjithashtu se gjatë qëndrimit në qeli ka shkelur disa herë ligjin dhe se ka konsumuar elementët e veprës penale “Futja ose mbajtja e sendeve të ndaluara në institucionin e ekzekutimit të vendimeve me burgim”, më shumë se një herë.
Edhe bashkëshortja e kryebashkiakut, Ajola Xoxa, akuzohet për korrupsion në të njëjtat raste ku përfshihet Veliaj, si dhe për pastrim parash, fshehje të të ardhurave dhe mosdeklarim të aseteve. Prokuroria ka evidentuar blerje online të kryera prej saj në një vlerë prej 86.7 milionë lekësh, si dhe përdorim të shumave të mëdha cash jashtë sistemit bankar për pagesa qirash, pagash dhe aktivitete private.
“Provat e grumbulluara dëshmojnë qartë për disponimin dhe qarkullimin e të hollave në cash, jashtë sistemit bankar, në shuma të konsiderueshme dhe në prerje të mëdha, nga e pandehura Ajola Xoxa, bashkëshortja e të zgjedhurit vendor, Erion Veliaj. Këto shuma, të cilat vijnë si rezultat i përfitimeve të parregullta të siguruara për shkak të funksionit të kryetarit të Bashkisë Tiranë, janë përdorur për të ushqyer ndër të tjera edhe aktivitetet private tregtare të subjekteve që kontrollohen nga bashkëshortja e këtij të fundit”, thuhet në deklaratën e SPAK.
Nën akuzë janë edhe biznesmenët apo bashkëpunëtorët e çiftit: Elman Abule, Gentian Sula, Fatmir Bektashi, Meriman Palushi, Shkëlqim Fusha, Sokol Kryeziu, Mirton Lika, Linda Kazani, Erald Simixhiu, Ina Goxhaj, Frosina Bollo, Valmir Xoxa, Adela Kondakçiu, Flutur Xhani dhe Fatjon Baci. Përveç tyre, ish-deputetja e Partisë Socialiste, Klotilda Bushka akuzohet për “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.