Nipi i ish-deputetit të Partisë Socialiste Rahman Rraja, Ramazan Raja ka lënë ambientet e qelisë.
Burime për mediat bëjnë me dije se ai u dërgua me urgjencë në shtëpinë e tij, ku dhe qëndroi për 30 minuta, për shkak se gjendja shëndetësore e të ëmës është e rëndë.
Ai ka qenë i shoqëruar nga forcat speciale të policisë së burgjeve dhe pas takimit u rikthye sërish në qelinë e paraburgimit.
Ramazan Rraja u vu në pranga në prill të 2023. Ai u arrestua për llogari të SPAK pasi dyshohet se është i përfshirë në atentatin ndaj ish-prokurorit Arjan Ndoj dhe mikut të tij Aleksandër Laho.
Në momentin e prangosjes Ramazan Rraja kishte me vete edhe një pistoletë. Arrestimi i tij erdhi pasi Prokuroria e Posaçme mori në dorë provat dixhitale nga drejtësia belge, franceze dhe holandeze të cilët zbërthyen aplikacionin e koduar SKY.
Hetuesit zbuluan komunikimet që kishin pasuar anëtarët e grupit kriminal mes tyre për të kryer ekzekutimin e ish-prokurorit Ndoj dhe mikut të tij Aleksandër Laho i njohur si “Rrumi”. Në dosjen e SPAK thuhet se ata po përgatiteshin për një atentat të dytë për Arjan Ndoj, Rrumin, dhe dy persona të tjerë.
Sipas SPAK, Rraja është marrë me organizimin e atentati ndaj ish-prokurorit për llogari të Plarent Dervishajt.
Ai ka qenë gjithashtu i dyshuar si i përfshirë në atentatin e trefishtë, në korrik të 2022 në mbikalimin e “Fushë Krujës” ku mbeti i vrarë kushëriri i Ervis Martinaj, Brilant Martinaj, si dhe miqtë e tij Diklen Vata dhe Besmir Hoxha.
Po ashtu, Rraja është dënuar nga një gjykatë në Belgjikë me 12 vite heqje lirie si pjesë e një grupi të rrezikshëm kriminal shqiptaro-letonez që merrej me trafikimin e sasive të mëdha të kokainës.