Të mërkurën vazhdimi i seancës, Presidenca e konsideron urgjencë shtetërore konstituimin e Kuvendit

Të mërkurën, më 20 gusht, në orën 11:00, mbahet vazhdimi i seancës konstituive të Kuvendit. Në rend dite parashihet zgjedhja e kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit.

Bekim Kupina, këshilltar i presidentes Vjosa Osmani, tha për Telegrafin se Presidenca e konsideron urgjencë shtetërore konstituimin sa më të shpejtë të institucioneve të dala nga vullneti i popullit.

“Në këtë periudhë të zhvillimeve dinamike në kontinent dhe sfidave globale që e prekin edhe rajonin tonë, krijimi sa më i shpejtë i institucioneve të reja në përputhje me procedurat e parapara në aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese është jetik për stabilitetin, përfaqësimin demokratik dhe për adresimin e interesave të qytetarëve”, tha ai.

Mes tjerash, ai shtoi se “Zvarritja e deritanishme ka dëmtuar jo vetëm kredibilitetin e institucioneve e zhvillimin e vendit, por edhe përparimin e vendit në arenën ndërkombëtare”.

“Presidenca apelon tek të gjithë deputetët që të veprojnë me përgjegjësi të plotë, në frymën e bashkëpunimit dhe të mirëbesimit, në mënyrë që shteti të ecë përpara i konsoliduar dhe t’i përmbushë me sukses proceset e rëndësishme që e presin Kosovën në forcimin e pozitës së saj si brenda ashtu edhe ndërkombëtarisht”, shtoi tutje Kupina.

Ndryshe, të hënën Gjykata Kushtetuese publikoi aktgjykimin e plotë për çështjen e konstituimit të Kuvendit.

Sipas aktgjykimi thuhet se Gjykata, në mënyrë të përmbledhur rikujton që përmes Aktgjykimit të të 26 qershorit 2025 lidhur me afatin për konstituimin e Kuvendit konstatoi që “Seanca Konstituive e Kuvendit është një akt kushtetues që duhet të përmbushet me sukses brenda 30 ditëve nga data e shpalljes zyrtare të rezultateve të zgjedhjeve, përmes përmbushjes të të gjitha elementeve thelbësore të konstituimit, përfshirë zgjedhjen e Kryetarit dhe nënkryetarëve.

Vendi vazhdon të jetë pa institucione të reja të dala nga zgjedhjet e 8 shkurtit.

Procesi ka ngelur në postin e kryeparlamentarit. LVV vazhdon të insistojë në emrin e Albulena Haxhiut për kryetare të Kuvendit, ndërkaq, partitë tjera thonë se nuk është unifikuese.


Shtuar 19.08.2025 15:56