Gjykata Speciale ndalon vizitat e 11 personave te Hashim Thaçi në paraburgim

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, gjyqtarja e procedurës paraprake, Marjorie Masselot, ka marrë vendim për vendosjen e kufizimeve në vizitat e ish-presidentit Hashim Thaçi, duke ndaluar hyrjen e 11 personave të caktuar në objektin e paraburgimit.

Në vendimin e lëshuar më 18 gusht 2025, thuhet se kufizimet vlejnë vetëm për vizitat jo të privilegjuara dhe përfshijnë emrat e Artan Behramit, Blerim Shalës, Ismail Sylës, Vllaznim Kryeziut, Milaim Ahmetajn, Milaim Cakiqit, Avni Kastratit dhe katër persona të tjerë emrat e të cilëve janë të redaktuar, ngjashëm si edhe emrat e vëllezërve të Thaçit.

Sipas vendimit, “kufizimet e miratuara në këtë vendim kufizohen vetëm në vizitat jo të privilegjuara të z. Thaçi në Objektin e Paraburgimit të Dhomave të Specializuara”, dhe këto masa do të hyjnë në fuqi menjëherë pas njoftimit për Thaçin.

Prokuroria kishte kërkuar që ndalesa të përfshinte edhe tre vëllezërit e Thaçit, por kjo pjesë e kërkesës nuk u miratua. Në arsyetimin e saj, Prokuroria pretendoi se personat e përfshirë në kufizime kanë komunikuar me zë të ulët me Thaçin gjatë vizitave të mëparshme, dhe se i akuzuari ka dhënë udhëzime që t’u përcillen dëshmitarëve. Gjithashtu, Prokuroria argumentoi se edhe në rast se ndaloheshin tre vëllezërit e Thaçit, ai ka ende dy të tjerë që mund ta vizitojnë.

Nga ana tjetër, mbrojtja e Thaçit, e udhëhequr nga Sophie Menegon, e konsideroi kërkesën për kufizime si të panevojshme dhe që cenojnë të drejtat themelore të ish-presidentit për jetën private dhe familjare.

Gjykatësja Masëlo, në përputhje me vendimin, vendosi që “kufizimet e reja do të rishikohen çdo tre muaj prej Gjykatëses nëse janë ende të domosdoshme”.


Shtuar 19.08.2025 11:48