Ngjarja e rëndë në Vlorë/ 17-vjeçarja tentoi vetëvrasjen pasi ushtruan dhunë ndaj saj, arrestohet babai, procedohet edhe gjyshi

Ditën e djeshme, një ngjarje e rëndë ka ndodhur në qytetin e Vlorës, ku një 17-vjeçare është dërguar me urgjencë në spital nga familjarët, pasi ka pësuar plagë të shkaktuara nga armë zjarri.

E mitura jetonte me gjyshërit, ndërsa prindërit e saj janë të divorcuar.

Vlorë/Vijojnë hetimet për zbardhjen dhe dokumentimin e ngjarjes së ndodhur dje, në lagjen “Kushtrimi”, ku u vetëplagos rëndë me armë zjarri një 17-vjeçare.

Vihet në pranga babai i 17-vjeçares dhe procedohet në gjendje të lirë gjyshi i saj.

Në vijim të veprimeve hetimore që po kryhen në drejtimin e Prokurorisë, për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes së ndodhur mesditën e djeshme, në lagjen “Kushtrimi”, ku një shtetase 17 vjeçe mbeti e plagosur rëndë pas tentativës për vetëvrasje me armë zjarri, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Vlorë:

arrestuan në flagrancë, për veprat penale “Dhuna në familje” dhe “Shkaktimi i vetëvrasjes”, shtetasin S. S., 43-vjeç, banues në fshatin Romës, Vlorë, pasi dyshohet se, për shkak të dhunës së ushtruar ndaj vajzës së tij të mitur, ajo ka tentuar të vetëvritet, në gjendje të rënduar psikologjike, me armë zjarri të dyshuar pistoletë;

referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin P. H., 76-vjeç, gjyshi i të miturës, për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, pasi dyshohet se posedonte në mënyrë të paligjshme armën e zjarrit me të cilën ka tentuar të vetëvritet mbesa e tij.

Vijon puna për gjetjen e armës së zjarrit, e cila dyshohet se është fshehur nga familjarët pas ngjarjes, si dhe kryerja e veprimeve të tjera hetimore, me qëllim dokumentimin e plotë të mekanizmit dhe rrethanave të kësaj ngjarjeje.

Shtetasja e mitur ndodhet në Spitalin e Traumës, nën kujdesin e mjekëve.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme.


Shtuar 15.07.2025 09:22