Merr fund arratia e Ervis Cukalit, një emër i njohur për Policinë. Ai ishte shpallur në kërkim, pasi në automjetin ku udhëtonte së bashku me dy të tjerë në vitin 2022 iu gjet 21 kilogramë eksploziv.
Ai njihet si ushtari i Admir Tafilit.
Cukali është arrestuar nga policia në Sarandës, bashkë me dy të tjerë gjatë një aksioni policor.
Më 28 Gusht 2022, Albi Mecini u kap në flagrancë në fshatin Vajkan, ku kishte lënë mjetin e tij pranë lëndës eksplozive, në një rrugë dytësore pranë rrethrrotullimit përballë qendrës “Viva” në rrugën për tek vendi i quajtur “Safari”.
Ndërkohë që bashkëpunëtorët e tij, Ervis Cukali dhe Arafat Manërkolli, ishin duke u afruar pranë tij me një mjet tjetër pa targa, i trafikuar dhe me shasi të falsifikuar, brenda të cilës u sekuestruan 3 bidona me lëndë djegëse benzinë.
Sipas Prokurorisë, që i dërgoi 3 të rinjtë për gjykim më 7 Dhjetor 2024, ata kanë poseduar dhe transportuar sasinë prej 21 kilogramë e 265 gram eksploziv në qytetin e Fierit dhe dyshohet se do të kryenin atentat.
Mencini akuzohet edhe për zhdukjen e Leonard Thodhori dhe Fatmir Sulovarit më 7 prill të 2023 në Sarandë. Ndaj tij është caktuar edhe masa arrest me burg për këtë çështje, ndërsa i rëndon akuza “rrëmbimi ose mbajta peng e personit”.