Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë në Kosovë ka pranuar njoftimin mbi dyshimet për prezencë të sëmundjes Murtaja e ruminantëve të vegjël (dhenve dhe dhive) në një fermë në fshatin Landovicë, Komuna e Prizrenit.
AUV thotë se menjëherë janë aktivizuar ekipet e inspektorëve të mjekësisë veterinare, të cilët kanë vendosur masën e kufizimit të lëvizjes në fermën e dyshuar nga e cila janë marrë mostrat për testim.
“Sot në mëngjese Laboratori i Ushqimit dhe Veterinarisë ka konfirmuar prezencën e sëmundjes në fermën e dyshuar. Mostrat e testuara në fermat përreth kanë rezultuar negativ. Në zbatim të mandatit ligjorë bazuar në rezultat të analizave laboratorike AUV ka shpallur fshatin Landovicë vatër të infektuar, në perimetër prej 3 km nga ferma e prekur”, thuhet në njoftim.
Agjencia kosovare vendosi edhe fermat përreth nën masën e dyshimit për hulumtim epidemiologjitk, hulumtimin e burimit të infektimit dhe kontakteve të mundshme me fermën e infektuar.
Më tej, theksohet se janë vënë në zbatim masat e biosigurisë në ferma, si dhe dezinfektimi i fermave dhe zonave përreth sipas protokolleve veterinare.
AUV po ashtu nxori vendim të menjëhershëm për masat e përgjithshme për kontrollin, parandalimin dhe luftimin e sëmundjes PPR, bazuar në Ligjin për Veterinarinë dhe i cili do të zbatohet në gjithë territorin e Kosovës, të cilat ndër tjerash përfshinë ndalimin e lëvizjes së deleve dhe dhive nga fermat, tregtimin në tregje dhe shitblerjen, groposjen e kafshëve në fermat të cilat rezultojnë të infektuara me PPR, njoftimin e menjëhershëm të institucioneve kur haset në infeskione, si dhe të tjera.
Sëmundja PPR (Peste des Petits Ruminants), e njohur si Murtaja e Ruminantëve të Vegjël, është një sëmundje virale shumë ngjitëse që prek delet dhe dhitë. Ajo karakterizohet nga simptoma të rënda si temperaturë e lartë, rrjedhje nga hunda dhe sytë, diarre, pneumoni dhe kollitje e fortë. Megjithëse ajo nuk përbën rrezik për shëndetin e njerëzve, kafshëve u shkakton dëme të konsiderueshme duke ua rritur nivelin e ngordhshmërisë dhe ka ndikim të drejtpërdrejtë në ekonominë blegtorale.