Gjykata e Posaçme e Apelit, ka lënë në fuqi masën e arrestit me burg për ish-gjyqtaren e Elbasanit, Pajtime Fetahu, e akuzuar për lidhje me bandën e Suel Çelës.
Trupi gjykues ka rrëzuar ankimimin e ish-magjesitrates, duke lënë pas hekurave Pajtime Fetahun.
“Rrëzimin e ankimit/kërkesës së të hetuarës znj. Pajtime Fetahu, mbi kohëzgjatjen e paraburgimit”, thuhet në vendim.
Vendimi:
Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtari Dhimitër Lara, sot më 02.07.2025, shpalli vendimin mbi çështjen penale nr. 160 akti, datë 23.06.2025 regjistrimi, mbi ankimin e personit nën hetim P.F., me objekt: “Ankim kundër vendimit nr. 355, datë 28.05.2025, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me objekt:
Deklarimin e humbjes së fuqisë së paraburgimit (shuarjen e masës së sigurimit) “Arrest në burg”, të parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale, caktuar me vendimin nr. 138, datë 22.11.2024 dhe të konfirmuar me vendimin nr. 146, datë 27.11.2024, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar”, dhe vendosi:
Shfuqizimin e urdhrit/vendimit nr. 355, datë 28.05.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
Rrëzimin e ankimit/kërkesës së të hetuarës znj. P.F., mbi kohëzgjatjen e paraburgimit.
Ish-magjistratja akuzohet për lidhje me bandën e Suel Çelës. Sipas SPAK, banda e Suel Çelës kishte arritur të korruptonte funksionarë të policisë së shtetit (Dedan Gjoni) dhe të sistemit gjyqësor (Pajtime Fetahu) të cilët duke shfrytëzuar pozicionin e tyre zyrtar e ndihmonin organizatën me informacione, duke ofruar gjithashtu lehtësira dhe ndikime në sistemin gjyqësor në këmbim të favoreve dhe përfitimeve materiale.
Organizata kriminale kishte aftësi që të ndikonte dhe të korruptonte përfaqësues të sistemit të drejtësisë me qëllim që këta të fundit të lehtësonin pozitën e drejtuesit Suel Çelës dhe anëtarëve të tjerë të organizatës në proceset penale në ngarkim të tyre.
Për t’u theksuar është aftësia e organizatës që të ndikojë tek trupa gjyqësore me qëllim që të rëndohej pozita apo masa e dënimit që do te jepej në ngarkim të anëtarëve të grupit kriminal që konsideroheshin si kundërshtarë të tyre.