Ekstradohet nga Zimbabve administratori i inceneratorit të Fierit, Loran Dusha (VIDEO)

Shtetasi Loran Dusha, 42-vjeç, nga Lushnja, është ekstraduar nga Zimbabve drejt Shqipërisë.

Ai ishte në kërkim ndërkombëtar që prej vitit 2022, pasi Gjykata e Posaçme, i kishte caktuar masën “arrest në burg” për korrupsion aktiv ndaj funksionarëve të lartë dhe pastrim parash, vepra të kryera në bashkëpunim.

Sipas hetimeve, Dusha dyshohet se në rolin e administratorit të inceneratorit të Fierit, ka përfituar fonde publike përmes faturave dhe pagesave fiktive për punë të pakryera.

Pas mbërritjes në Shqipëri, ai është vënë në dispozicion të autoriteteve gjyqësore.

Vijon operacioni policor ndërkombëtar “The Wanted”. Falë bashkëpunimit të ngushtë mes Interpol Tiranës dhe Interpol Harare, u bë e mundur lokalizimi, kapja dhe ekstradimi nga Zimbabve, shtet në Afrikën Jugore, i shtetasit shqiptar Loran Dusha, 42 vjeç, lindur në Lushnjë, i shpallur në kërkim ndërkombëtar.

Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), në vitin 2022, i kishte caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose i veprimtarisë kriminale”, të kryera në bashkëpunim.

 

Nga hetimet ka rezultuar se shtetasi L. D., në cilësinë e administratorit të një kompanie private, ka përfituar fonde publike në mënyrë të paligjshme, përmes faturave dhe pagesave fiktive, për punë dhe shërbime të pakryera.

Pas mbërritjes në Shqipëri, 42-vjeçari iu dorëzua Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.

Policia e Shtetit, është maksimalisht e angazhuar në bashkëpunimin ndërkombëtar për lokalizimin, kapjen dhe ekstradimin e shtetasve shqiptarë që fshihen jashtë vendit, me qëllim shmangien nga drejtësia.


Shtuar 14.06.2025 15:27