Mësohet data kur Barcelona do të rikthehet përfundimisht në Camp Nou

Barcelona është në fazën përfundimtare të përgatitjeve për t’u rikthyer në Camp Nou, pas më shumë se një viti në mungesë për shkak të punimeve të rinovimit të stadiumit historik.

Sipas raportimeve të afërta me klubin, veçanërisht gazetës Mundo Deportivo, rikthimi zyrtar është planifikuar për fundjavën e 20 ose 21 shtatorit, kur Barça do të presë ndeshjen e parë në shtëpi për sezonin e ri në La Liga.

La Liga tashmë ka pranuar kërkesën e Barcelonës për të luajtur katër ndeshjet e para jashtë fushe, duke i lejuar klubit të kthehet në Camp Nou në javën e pestë të kampionatit.

Struktura e sezonit të ardhshëm nuk përfshin ndeshje të ligës në mesjavë gjatë muajit gusht, çka i jep klubit edhe një javë shtesë për të përfunduar detajet e fundit të stadiumit.

Ndërkohë, më 12 shtator, Camp Nou do të hapë dyert për një koncert të Post Malone, dhe vetëm pas kësaj do të fillojë vendosja e barit të ri, që pritet të përfundojë për tetë ditë.

Nëse ndodh ndonjë vonesë, Barcelona ka marrë me qira stadiumin Montjuic, që do të shërbejë si zgjidhje emergjente, megjithatë drejtuesit janë të bindur se kjo nuk do të jetë e nevojshme.

Fillimisht, kthimi në Camp Nou ishte planifikuar për nëntor 2024 me një kapacitet prej 60%, por pas disa shtyrjeve, rikthimi është tashmë i konfirmuar për shtator, një lajm i shumëpritur nga tifozët katalanas.


Shtuar 9.06.2025 15:49