Kryetari i Partisë Mundësia, Agron Shehaj ka reaguar pas kërkesës së opozitës për rinumërim të votave në qarkun e Tiranës. Partia Demokratike synon që t’i marrë mandatin partisë së Shehaj dhe të fusë në Kuvend mjekun Ilir Alimehmeti.
“Dy mandate. Dy votëbesime. Të ndershme. Të padiskutueshme. Dhe askush nuk do t’i rrëmbejë. Askush. Ajo që po përpiqen të bëjnë është një grabitje. Një tjetër përpjekje e dëshpëruar nga partitë e vjetra që nuk duan të ndryshojnë.
Nuk mund të bërtasësh për farsë zgjedhore, dhe pastaj të vjedhësh një mandat në tavolinë. Kjo është hipokrizi. Dhe nuk do të ndodhë!
E kemi thënë më parë dhe po e themi sërish: votat tuaja nuk preken. Çdo votë për Partinë Mundësia është një votë për ndryshimin, dhe nuk do të preket, nuk do të tjetërsohet, nuk do të vidhet”, shkruan Agron Shehaj, kryetar i Partisë Mundësia.
Partia e drejtuar nga Sali Berisha i është drejtuar zyrtarisht Komisionit Qendror të Zgejdhjeve me kërkesë për rinumërimin e votave të pavlefshme në qarkun e Tiranës, me shpresën se diçka do të ndryshojë dhe mjeku Ilir Alimehmeti do të jetë pjesë e Kuvendit të ri në Shtator.
Përfaqësuesi ligjor i Partisë Demokratike në KQZ, Franci Nuri ka konfirmuar se kërkesa për rinumërim do të fokusohet tek rivlerësimi i fletëve të pavlefshme të votimit.
Gjithashtu, kali i betejës ligjore të demokratëve për t’i hapur derën e Parlamentit doktor Alimehmetit, i cili e humbi për një grusht votash shansin për të veshur xhaketën e ligjvënësit, nuk janë vetëm fletët e pavlefshme.
“Opsioni tjetër është duke parë materialet zgjedhore për çdo qendër votimi ku ne gjykojmë se ka pasur probleme dhe nëse hiqet një qendër votimi nga përllogaritja e rezultatit aty mund te ndryshoje mandatin pasi diferenca ka qenë më pak se 100 vota”, ka thënë përfaqësues ligjor i PD.