GJKKO shpall vendimin për ish-kryeprokurorin e Vlorës Aurel Zarka, ja me sa vite burg e dënoi

Gjykata e Posaçme, ka dënuar me 4 vite burgim Aurel Zarkën, ish-prokurorin e Vlorës. Në aplikim të gjykimit të shkurtuar me 2 vite e 8 muaj burgim.

Zarka është dënuar gjithashtu me 5 vite përjashtim nga ushtrimi i funksioneve publike.

Çfarë zbuluan hetimet?

SPAK, më 30 korrik 2024, zbuloi se nga hetimet paraprake procedimi penal janë krijuar dyshime të arsyeshme se personat nën hetim Aurel Zarka, Erjona Dautaj, avokati Radovan Çela dhe Astrit Vladi në bashkëpunim me njëri-tjetrin dhe në disa raste, kanë ofruar dhe kanë premtuar përfitime të parregullta për të ushtruar ndikim te funksionarë të drejtësisë.

Gjithashtu, kanë kërkuar përfitime të parregullta për të kryer veprime të lidhura me funksionin dhe detyrën e tyre, sipas episodeve dhe akuzave respektive për secilin prej tyre.

SPAK informoi se ndaj kreut të Prokurorisë së Vlorës është caktuar masa e sigurisë “arrest me burg” për veprat penale: “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, e kryer tre herë, e kryer në bashkëpunim dy herë, “Korrupsioni aktiv i gjyqtarit, prokurorit dhe i funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, e kryer në bashkëpunim (iii)“Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë”.


Shtuar 20.05.2025 10:47