Ilir Alimehmeti: Mirënjohje për të gjithë njerëzit që kanë votuar, shpresoj që PD të ketë rritje në vota, kemi pritshmëri në Tiranë

Në një lidhje të drejtpërdrejtë në News24, kandidati i Partisë Demokratike, në listën e hapur të koalicionit “Shqipëria Madhështore” në Tiranë, Ilir Alimehmeti, ka reaguar pas rezultatit në të cilin doli fitues me më shumë vota në Vorë dhe në njësinë 10 në zgjedhjet e 11 majit.

Ai shprehu mirënjohje për qytetarët që e kishin votuar, duke shprehur se fushata ishte bazuar tek takimi me ata.

“Ka qenë fushatë në kontakt me njerëzit. Mirënjohje për të gjithë njerëzit që kanë votuar. Duke folur me njerëzit i kupton edhe problematikat e tyre”, tha ai.

Alimehmeti u ndal gjithashtu, edhe tek rezultati paraprak në të cilin Partia Demokratike ndodhet në disavantazh, kundrejt Partisë Socialiste.

Sipas tij, ai shpreson se Partia Demokratike, do të ketë rritje në vota dhe mos të ketë parregullsi.

Më tej, ai shtoi se aktualisht janë të fokusuar tek procesi i numërimit.

“Shpresoj që PD të ketë rritje në vota dhe mos të ketë parregullsi. Partia Demokratike ka pritshmëri në Tiranë. Në këtë moment jemi të fokusur në procesin e numerimit”, përfundoi Alimehmeti.