Dy incidente janë regjistruar në Qarkun e Kukësit, ku një 19-vjeçar është proceduar nga policia për shkeljen e fshehtësisë së votimit.
Sipas njoftimit të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Kukës, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Tropojë referuan materialet në Prokurori dhe nisën procedimin në gjendje të lirë për shtetasin S. B., 19-vjeç, banues në fshatin Shoshaj.
Ai akuzohet për publikimin e fotografisë të fletës së tij të votimit në rrjete sociale, duke shkelur ligjin për ruajtjen e fshehtësisë së votës.
Po ashtu, specialistët e Hetimit të Krimeve të Komisariatit të Policisë Kukës referuan materialet në Prokurori për një tjetër rast, ku u shpall në kërkim shtetasi O. Sh., 18-vjeç, banues në Kukës, për veprën penale “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”.
Ai kishte tentuar të hyjë me forcë në një Qendër Votimi (VNV nr. 11) gjatë natës dhe kishte kundërshtuar punonjësit e policisë që nuk e lejuan të hynte.
Materialet procedurale janë dërguar në Prokurori për veprime të mëtejshme, ndërsa autoritetet vazhdojnë hetimet për të zbardhur plotësisht ngjarjen.
Njoftimi i policisë:
DVP Kukës
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Tropojë referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin S. B., 19-vjeç, banues në fshatin Shoshaj, për veprën penale “Shkelja e fshehtësisë së votimit”, pasi ka publikuar në rrjete sociale, fotografi të fletës së tij të votimit.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Kukës referuan materialet në Prokurori dhe shpallën në kërkim shtetasin O. Sh., 18-vjeç, banues në Kukës, për veprën penale “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”, pasi gjatë natës, ka tentuar të hyjë me forcë në VNV nr. 11 dhe ka kundërshtuar punonjësit e Policisë që nuk e kanë lejuar të hyjë.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.