Pas incidentit të armatosur që ndodhi në qytetin e Laçit, pesë persona janë transportuar në Spitalin e Traumës në Tiranë, ku kanë marrë trajtim mjekësor. Të gjithë të plagosurit kanë pësuar plagë nga armë zjarri në gjymtyrët e poshtme.
Gjendja shëndetësore e të plagosurve është si më poshtë:
Angjelina Gjezaj, 58 vjeçe – Jashtë rrezikut për jetën. Po qëndron nën vëzhgim mjekësor për ndjekje të mëtejshme.
Amarildo Ndoj, 26 vjeç – Në gjendje të rëndë shëndetësore. Po trajtohet në repartin e terapisë intensive
Geri Bitri, 24 vjeç – Gjithashtu në gjendje të rëndë. Mjekët po bëjnë përpjekje për stabilizimin e parametrave jetësorë.
Liridon Ismaili, 26 vjeç – Në gjendje të stabilizuar, por ndodhet nën monitorim intensiv.
Daniel Gjeloshi, 26 vjeç – Po ashtu në gjendje të stabilizuar dhe nën mbikëqyrje mjekësore të vazhdueshme.
Çfarë ndodhi në Laç?
Ngjarja ka ndodhur pas një konflikti mes disa të rinjve në qytetin e Laçit. Policia e Kurbinit ka njoftuar se autori i dyshuar është identifikuar dhe puna për kapjen e tij vijon me intensitet.
Disa orë pas të shtënave, efektivët e policisë kanë gjetur armën e krimit, një pistoletë, e cila ishte hedhur në një kantier ndërtimi jo shumë larg vendngjarjes. Hetimet janë në vijim.