Aplikimet për drejtuesin e ri të RTSH-së janë mbyllur ditën e sotme sipas vendimit të marrë në mbledhjen e datës 1 prill të Këshillit Drejtues të RTSH. 13 janë kandidatura që synojnë drejtimin e RTSH-së. Mes emrave spikasin figura të njohura të ekranit, si gazetarja Eni Vasili.
Pas periudhës së aplikimeve, Këshilli Drejtues do të shqyrtojë aplikimet në një mbledhje të dytë dhe do të vazhdojë me procesin përzgjedhës. Një tjetër pikë e rëndësishme e mbledhjes ishte miratimi i projektbuxhetit të RTSH, një hap i rëndësishëm për sigurimin e funksionimit të qëndrueshëm të Televizionit Publik Shqiptar në vitet në vijim.
Aplikantët për Drejtorin e RTSH:
Gëzim Nazif Xhaxhaj
Flamur Buçpapaj
Kliton Rama
Zoje Jakaj (Marashi)
Jetmir Shpuxa
Laureta Roshi
Ermal Hoxha
Eni Vasili
Harrila Koçi
Engjëllush Musai
Mimoza Haxhiaj
Elton Metaj
Enrik Mehmeti
Këshilli i ri Drejtues i Televizionit Publik vendosi më 1 prill të nisë nga e para garën për Drejtorin e Përgjithshëm të Radio Televizionit Shqiptar (RTSH). Anëtarët e sapozgjedhur të këshillit rrëzuan të gjithë procedurën që ishte hapur më 6 janar, për zgjedhjen e drejtorit, duke e shpallur atë të pavlefshme për shkak të shkeljeve që Kuvendi gjeti në proces. Këto parregullsi ishin një nga arsyet që çuan në shkarkimin e 11 anëtarëve të mëparshëm të bordit drejtues.