Drejtuesi politik i Koalicionit Euroatlantik, Lulzim Basha, zhvilloi një takim me qytetarë në Njësitë 3 dhe 4 në Tiranë.
Në bisedën me ta, Basha tha se në 11 maj zgjedhja nuk mund të jetë mes atyre që kanë shokët tek 7×7-313 dhe atyre që duan të nxjerrin Ilir Metën nga burgu dhe të rikthejnë Elvis Roshin në politikë.
Ai theksoi se Koalicioni Euroatlantik, është i vetmi formacion që është përballë korrupsionit të çdo ngjyre, qoftë të Edi Ramës, Sali Berishës apo Ilir Metës, dhe është i vetmi në mbështetje konkrete për SPAK.
Basha u bëri thirrje qytetarëve të mos qëndrojnë në shtëpi në ditën e votimit, por të mbështesin ndryshimin përmes votës.
“Njëri ka gjysmën e shokëve tek 7×7 = 313-ta dhe shoqet një palë mbathje ju kushton sa dy pensione.
Këta do luftojnë korrupsionin?! Këta do e fusin Shqipërinë në Europë?! Po këta janë arsyeja pse jemi këtu ku jemi.
Dhe nga ana tjetër voto PD-n, që të nxjerrësh Ilir Metën nga burgu, e të bësh Elvis Roshin apo çunin e xhajës së Elvis Roshit deputet.
Elvis Roshi me Ilir Metën është përgjigjja ndaj korrupaionit të Ramës
Dhe kjo prandaj shumë njerëz janë mërzitur, prandaj dhe Edi Rama thotë vetëm me Edin dhe rini në shtëpi po nuk më votuat mu.
Jo, mos rrini në shtëpi, dilni jepni votën për Koalicionin Euroatlantik. I vetmi formacion politik që i rri ballë për ballë Edi Ramës, korrupsionit të çdo lloj ngjyre, edhe të Berishës, edhe Metës.
Ne i rrimë përballë korrupsionit, jemi të vetmit që i japim mbështetje SPAK-ut, me vepra jo me fjalë.
Se me fjalë të dendin këta. Me vepra, me ligje në Parlament, me vetingun për politikanët, me heqjen e imunitetit, me të gjitha”, – tha Basha.