Përfaqësues amerikanë të OPDAT janë rikthyer sërish në Prokurorinë e Posaçme SPAK dhe në Gjykatën Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Burime për gazetaren Klodiana Lala bëjnë të ditur se përfaqësuesit e SHBA-ve janë parë në ambientet e dy institucioneve të drejtësisë.
Roli i përfaqësuesve amerikanë është që të asistojnë në hetimet e SPAK.
Kujtojmë që ekspertët amerikanë u larguan në fillim të muajit shkurt pas urdhrit ekzekutiv të firmosur nga Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump.
Ekspertët janë rikthyer tani për të vazhduar mbështetjen dhe asistencën e nevojshme për SPAK, një strukturë e krijuar për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar në Shqipëri.
Që nga krijimi i saj, SPAK ka përfituar mbështetje të vazhdueshme nga partnerët ndërkombëtarë, duke përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilat kanë kontribuar nëpërmjet disa misioneve, si OPDAT (Oficeri i Ndihmës për Trajnimin dhe Asistencën në Prokurori), ICITAP (Programi Ndërkombëtar i Trajnimit për Çështje të Krimit), DEA (Agjencia për Luftën kundër Drogës) dhe FBI (Byroja Federale e Hetimeve).
Kjo mbështetje ka qenë e rëndësishme për forcimin e kapaciteteve të institucioneve shqiptare në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Përfshirja e OPDAT me ekspertizë ligjore në Shqipëri ka qenë e zgjeruar, duke përfshirë institucionet e drejtësisë, sidomos strukturat e posaçme, Policinë e Shtetit dhe Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore.