Punimet në Spitalin Rajonal në Gjirokastër/ Rama: Me arkitekturë historike dhe shërbime të shtuara

Një tjetër infrastrukturë spitalore që po rilind nga themelet me shërbime të shtuara dhe teknologji nga më modernet është Spitali Rajonal i Gjirokastrës, një godinë historike që shtrihet në një sipërfaqe prej 8 mijë e 600 m2, me të gjitha specialitetet si urgjenca, kirurgjia, pediatria, infektivi, radiologjia, patologjitë, në shërbim të 60 mijë banorëve të qarkut.

Ishte këtu, ndalesa e Kryeministrit Rama, i cili këtë hënë i vijoi inspektimet e kantireve në Gjirokastër, i shoqëruar nga Ministrja e Shëndetsisë dhe Mbrojtjes Sociale Albana Koçiu.

“Spitali Rajonal i Gjirokastrës ka filluar punimet që në dhjetor të vitit që shkoi. Ka të parashikuara rehabilitim të plotë të një godine 4 katërshe, shumë e rëndësishme për të gjithë qarkun e Gjirokastrës.

Është një investim që realizohet me fondet e buxhetit të shtetit me një vlerë prej 4.7 milion euro.

Parashikon rehabilitim në tre faza për arsye të mos ndërprerjes së shërbimeve shëndetësore, pra të ofrimit të shërbimeve shëndetësore, që është e rëndësishme dhe është një nga ato çështje në fakt që ne konsiderojmë sa herë që rikonstruktojmë godinat e spitaleve.

Spitali ofron shërbim për plot 60 mijë banorë të qarkut dhe ofron specialitete të tilla si kirurgjia.

Këtu ku jemi aktualisht, jemi në shërbimin e pediatrisë, ndërkohë që godina është 4 katërshe, kati minus një ka shërbimin e radiologjisë, ndërkohë që kati i dytë dhe i tretë janë shërbimi i kirurgjisë.

Ndërkohë që tashmë parashikohet rehabilitimi i plotë i godinës, plus pastaj edhe mobilimi dhe pajisjet me pajisjet e teknologjisë së fundit që do t’i japin mundësinë edhe të gjithë mjekëve që punojnë këtu, – janë 153 persona staf mjekësor që shërben në këtë spital, – ku 45 janë mjekë dhe pjesa tjetër janë staf infermierorë, i cili shërben në 13 shërbime, shërbime kryesore si kirurgjia, si patologjitë, si infektivi, si pediatria, kemi shërbimin e urgjencës.”- detajoi Ministrja Koçiu teksa theksoi se “Parashikimi për të përfunduar punimet është 24 muaj”.

Nga ana e tij, Kryeministri Rama vlerësoi punimet cilësore dhe sugjeroi disa ide mbi detaje të projektit, në mënyrë që godina të ruajë karakterin e saj historik.


Shtuar 24.03.2025 17:04