Kurti theksoi se në atë lëndinë të Prekazit emrat Jashari dhe të tjerët që prehen me ta janë emrat absolut të lirisë.
“E në atë datë kur lindi edhe Ademi i madh në datën më historike të shqiptarëve 28 nëntorin, shpallet publikisht edhe UÇK-ja. Na takon neve si popull e shoqëri, në qeverisje e zhvillim ta ruajmë atë ritëm të bërjes së historisë”, tha Kurti.
Kryeministri nuk citoi edhe disa nga fjalët e Rifat Jasharit, për të cilat tha se janë rikujtim i ritmit të lirisë së plotë.
“Çfarë themi kur themi se Epopeja na ka përcaktuar një ritëm, ç’është ky ritëm e gjejmë në fjalët e bacës Rifatë në 25 vjetorin e Epopesë ku tha “mbi luftën e gjakun të gjejmë një gjuhë të përbashkët”. Në Kuvend e artikuloi edhe më tej “të jemi të një gjuhe për tu ndarë njëherë e mirë prej Serbie, e pastaj kemi kohë për tu marrë me të gjitha të tjerat”. Baca Rifat na kujtoi edhe njëherë ritmin e lirisë së plotë”, tha Kurti.
Ai shtoi se në mandatin e tij qeverisës, përcaktimin më të lartë e kanë pasur në zhvillimin e kësaj linje në mbajtjen e këtij ritmi.
“Shtet si sovranitet, për liri të popullit në territor me integritet. Epopeja e UÇK-së ka vetëm një adresë, liri nga pushtuesi serb dhe vetëm një horizont, bashkimin tonë. Që nga ajo ditë çdo politikë e jona është në parim e përcaktuar. Emri Epope për një ngjarje të tillë nuk është vetëm për ato tri ditë por për tërë kohën liridashëse e shtetformuese”, tha Kurti.
Kurti e cilësoi Prekazin si një monument i vullnetit për liri duke theksuar se ai përbënë një nga realizimet tona më të rëndësishme.
“Ky monument prezanton gurthemelin e çlirimit të vendit tonë dhe shembullin botëror të flijimit për liri. Çdo kompromis me Epopenë dhe përcaktimin e saj, është kompromis dhe pazar me qenien me lirinë tonë, i cili sjell më pak liri, pa sjell robëri. Sovraniteti është një emancipim, çdo lëshim në kufi apo në veri ishte vetëm një korruptim i sovranitetit në të kaluarën”, tha Kurti.
Kryeministri theksoi se zotimi i tyre si qeveri mbetet lufta ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar.
“Organizimi më i madh i krimit burimin e ka në vendet ku është bërë kompromis me lirinë e përcaktimit të një shteti me sovranitetin. Sot jam krenar që si kryeministër të deklaroi se jemi në udhën e përcaktuar nga Epopeja dhe për katër vite qeverisje kemi ecur me ritmin e saj”, tha Kurti.