Trafikuan lëndë narkotike me vlerë 1.7 mln euro/ Shefat e policisë në GJKKO, njihen me masën e sigurisë

Këtë të hënë, dalin para GJKKO shefat e policisë që sipas SPAK, kanë ndihmuar grupet kriminale në Sarande, Gjirokastër dhe Tepelenë për të kultivuar dhe trafikuar kanabis.

Seanca do të zhvillohet në orën 11, ku do të verifikohen kushtet për masën e sigurisë arrest në burg për :

Ervis Alisinanaj, shef krimesh në Lushnje

Shkelzen Ruska, shef krimesh në Himarë

Erdit Hazizaj, ish-pjesë e forcave operacionale, kandidat i PD për bashkinë Roskovec në zgjedhjet e vitit 2023.

Në kërkim: Elvis Dervishi, shef i kufirit Sarandë.

Në kërkim janë shpallur dhe 3 drejtuesit e 2 grupeve kriminale si dhe 3 shtetas të tjerë të përfshirë në disa episode kriminale.

Policët e inkriminuar sipas SPAK, rezulton se kanë qenë përdorues të aplikacionit SKY ECC me të cilët mbanin kontakte me grupet kriminale për t`i siguruar mbështetje.

HETIMET E SPAK

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ka deklaruar se efektivët, prej disa kohësh ishin të përfshirë në kultivimin dhe trafikun e kanabisit.

Sipas njoftimit të SPAK, punonjësit e policisë ishin të lidhur me trafikantët ku i mbulonin në kultivimin e drogës në zonën e Sarandës, duke dhënë këshilla dhe informacione të vazhdueshme për mirëfunksionimin e veprimtarisë kriminale në lidhje me kultivimin e bimëve narkotikëve, si dhe duke u siguruar anëtarëve të tjerë të grupit të strukturuar kriminal siguri në këtë veprimtari të kundraligjshme.

Kanabisi më pas trafikohej në Greqi, dhe po ashtu aty kishin ndihmën e efektivëve për kalimin pa problem të kanabisit, i cili më pas kalonte për t’u shitur në territorin grek.

“Nga hetimi është arritur të dokumentohet rasti i trafikimit për në Greqi, më 07.03.2020, përmes pikës së kalimit kufitar, “Qafë Botë”, të një sasie prej 1144.9 kg cannabis sativa të papërpunuar, 4.068 kg cannabis të përpunuar (çokollatë) dhe 0.916 kg cannabis i përpunuar (vaj), me vlerë rreth 1.700.000 euro, sasi kjo që u është sekuestruar dy shtetasve italianë të dënuar në Greqi”, thuhet në njoftimin e SPAK.


Shtuar 3.03.2025 11:32