Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, në një deklaratë të fundit, ka komentuar zhvillimet e rëndësishme politike që po ndodhin në Shqipëri.
Ai e ka filluar fjalën e tij duke bërë të ditur se Chris LaCivita, një nga drejtuesit kryesorë të fushatës së Presidentit Donald Trump dhe Shefi i Komitetit Kombëtar Republikan, do të udhëheqë fushatën e Partisë Demokratike, për zgjedhjet e ardhshme të 11 majit.
Këlliçi theksoi se ky zhvillim, shënon një hap të rëndësishëm në forcimin e marrëdhënieve mes PD dhe SHBA-së.
Gjithashtu, ai ka folur për arrestimin e Erion Veliajt dhe ka premtuar se ky është vetëm fillimi i një ndryshimi të thellë politik në Shqipëri.
Sipas tij, arrestimi i Veliajt, është triumf i protestave të PD-së para Bashkisë së Tiranës.
Deklarata e Belind Këlliçit:
“Të nderuar qytetarë,
Kjo javë nisi me dy zhvillime të shumëpritura për të gjithë qytetarët shqiptarë!
Chris LaCivita, drejtuesi i fushatës së Presidentit Donald Trump, dhe Shefi i Komitetit Kombëtar Republikan, nga dita e sotme do të drejtojë zyrtarisht fushatën e Partisë Demokratike dhe Kryetarit të saj Prof. Dr. Sali Berisha drejt fitores së zgjedhjeve të 11 majit.
Zoti LaCivita paralajmëroi në konferencën për shtyp, se kukullat e George Soros nuk mund të jenë më partnerë të SHBA-ve dhe ato do të çmontohen një nga një.
Atë që deri dje konsiderohej e pamundur, ne do ta bëjmë të mundur!
Tronditja që shkaktoi ardhja e krahut të djathtë të Presidentit Trump, Chris LaCivita, çoi në urdhrin e menjëhershëm dhe të pashmangshëm të Edi Ramës për arrestimin e Erion Veliajt.
Edi Rama zgjodhi të arrestojë Veliajn pikërisht ditën e sotme, vetëm me qëllimin e sfumimit të lajmit të shumëpritur se Partia Demokratike dhe SHBA ecin përkrah njëra-tjetrës, më fuqishëm dhe më të sigurta se kurrë.
Gjej rastin të falenderoj ata qindra protestues dhe qytetarë të Tiranës, që për 44 javë me rradhë protestuan para selisë së “5D” dhe inceneratorit Tiranë, që formalisht quhet Bashkia Tiranë.
Falenderoj të gjithë ata burra dhe gra, të rinj, të reja e të moshuar që qendruan të palëkundur, gjatë 44 protestave në mbrojtje të interesit publik dhe në shërbim të qytetit të Tiranës.
Falenderoj po ashtu Grupin e Ekspertëve pranë Partisë Demokratike, për punën e tyre titanike, për orët e pafundme të zbulimit dhe dokumentimit të korrupsionit endemik në Bashkinë Tiranë dhe shërbimin e madh që i kanë bërë kryeqytetit.
Garantojmë qytetarët shqiptarë se arrestimi i Erion Veliajt, është hapi i parë në çmontimin e plotë të infrastrukturës së George dhe Alex Soros në Shqipëri.
Pas mbyllje së USAID, po shkon drejt mbylljes edhe Bashkia e Tiranës, dhe pas saj më 11 maj, edhe qeveria më e korruptuar në Europë, qeveria e Edi Ramës.
Ashtu siç premtoi pak orë më pare Chris LaCivita, ndikimi i Soros dhe kukullave të tij në vendin tone, do të shuhet përgjithmonë.
I bëj thirrje çdo qytetari shqiptar dhe çdo demokrati, që të bashkohemi dhe me vendosmëri ta çojmë fitoren tonë deri në fund. Ne do ta bëjmë të pamundurën të mundur.
Është radha jonë!
Është radha jonë!
Është radha jonë”, shprehet ai.