Arratisja e një dite më parë e 49-vjeçarit Daut Laze nga burgu i Shënkollit, u ka kushtuar rëndë 3 efektivëve që ishin në detyrë në ato momente.
Sipas të dhënave më të fundit, rojet e burgut të Shënkollit Gjin Ndoka, Tonin Nikolli dhe Zhaneta Mella, janë vënë në pranga për shpërdorim detyre në këtë rast.
49-vjeçari Daut Laze nga Çorovoda, por me banim në Tiranë ndodhej i shtruar në dhomën e mjekimeve dhe në orët e para të mëngjesit të ditës së djeshme, u arratis prej andej duke kapërcyer murin.
Mungesa e tij në dhomë, u vu re gjatë ndërrimit të turneve dhe kryerjes së apelit.
Ai u arrestua më 16 nëntor të vitin 2021 për dhunë në familje, nga një denoncim që ëma thotë se nuk ka ardhur prej tyre.
Më 4 nëntor të vitit që shkoi Gjykata e Tiranës, vendosi për të “Mjekim të detyruar në një institucion spitalor”.
Këtë dënim po e vuante në burgun e Shënkollit, aty ku u zhvendosën të gjithë të dënuarit me probleme të shëndetit mendor pas mbylljes së burgut të Zaharisë.
Policia e quan Daut Lazen person me rrezikshmëri të lartë shoqërore dhe u bëri apel qytetarëve, që të lajmërojnë forcat e rendit për çdo informacion që mund të mësojnë për vendndodhjen e tij.
Shuma e shpërblimit në këmbim do të jetë 10 mijë euro.