Europiani i Leonardo Bonuçit ka qenë deri tani i shkëlqyer. Italia zuri vendin e parë në grup dhe mbi të gjitha ka një kundërshtar të “pranueshëm”. Kapiteni i “axurrëve” (Kielini është gati, por nuk do të luajë) ka më shumë spaleta, por edhe përgjegjësi kundër Austrisë.
Ai e ka nisur konferencën për shtyp duke folur për luftën kundër racizmit dhe nëse do të gjunjëzohet Italia para ndeshjes në shenjë solidariteti apo jo. “Është një vendim që do ta marrim së bashku me skuadrën. Sapo të arrijmë në hotel, do diskutojmë dhe do të vendosim. Duhet të kuptojmë gjithashtu nëse ka ndonjë kërkesë nga federata për këtë gjë, apo jo”, deklaroi fillimisht “muri” i Juventusit.
Mesazh Arnautoviçit…
“Kemi respekt maksimal për Austrinë. Ata janë një skuadër e freskët fizikisht dhe kanë aftësi të të bëjnë dëm. Arnautoviç ka thënë se nuk e ka frikë Italinë? Bën mirë që e thotë, ne kurrë nuk kemi thënë ndonjëherë se jemi superiorë ndaj dikujt. Duhet të shohim vetëm punën tonë dhe koha ka treguar deri tani se me Mançinin jemi në rrugën e duhur. Duhet të jemi të kujdesshëm nesër, por edhe të mos e mbivlerësojmë kundërshtarin, sepse na takon që të bëjmë lojën tonë pa frikë ndaj askujt”, deklaroi Bonuçi ndër të tjera.
Austria shumë… gjermane
Mbrojtësi 34-vjeçar i ka bërë thirrje skuadrës që të bëjë kujdes në leximin e lojës dhe të jetë e vëmendshme. “Austria ka një stil loje shumë “gjerman” – thotë Bonuçi – Është shumë agresive kur e humbet topin, luajnë me ritëm të lartë dhe presingun e bëjnë shumë lart. Unë mendoj se janë një shkallë më lart se kundërshtarët që kemi hasur deri tani, prandaj duhet të bëjmë kujdes dhe të lexojmë mirë lojën. Por natyrisht që ne do të futemi për t’u kualifikuar dhe jam i sigurt që do t’ia dalim”, u shpreh ai.