Reshjet e dëborës përfshijnë bypassin e Murrizit/ Vështirësohet qarkullimi, Rrugorja thirrje shoferëve: Përdorni goma dimërore dhe zinxhirë

Segmenti i rrugës së Arbrit i njohur si bypassi i Murrizit, është përfshirë nga reshjet e borës, të cilat kanë qenë me intensitet të lartë.

Sasia e madhe e reshjeve, ka bërë që të vështirësohet qarkullimi i automjeteve edhe pse në terren janë dy mjete borëpastruese.

Problematike situata mbetet në anën e Tiranës në fshatin Bastar Murrize, ku për shkak të rrugës malore, shumë automjete e kishin të vështirë lëvizjen.

Reshjet e borës vijojnë të jenë me intensitet të lartë, ndërsa pritet që në orët në vijim të ketë me shumë probleme në këtë aks rrugor, kjo për faktin se jo të gjitha mjetet që qarkullojnë në të janë të pajisur me goma dimërore dhe zinxhirë.

Me uljen e temperaturave pritet që rrugës t’i shtohet edhe prezenca e akullit, ç’ka mund të çojë në bllokimin e plotë të qarkullimit të automjeteve.

Policia Rrugore, këshillon të gjithë qytetarët që do të lëvizin në drejtim të Tiranës apo Qarkut Dibër, nëpërmjet rrugës së Arbrit të pajisen me goma dimërore dhe zinxhirë.