Nis takimi trepalësh në Bruksel në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi

Një takim trepalësh mes kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë me të dërguarin e Bashkimit Evropian është duke u zhvilluar në Bruksel në kuadër të dialogut, të cilin e lehtëson blloku.

Sikur edhe herëve të mëparshme, së pari u zhvilluan takimet dypalëshe të përfaqësuesit të Posaçëm të BE-së për dialog, Miroslav Lajçak, me shefin e delegacionit të Kosovës, Besnik Bislimi, dhe me atë të Serbisë, Petar Petkoviq.

Takimi i përbashkët trepalësh mes tyre filloi pas orës 15:00.

Sipas burimeve nga Bashkimi Evropian, në këto takime do të shqyrtohen një varg çështjesh, përfshirë edhe implementimin e marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit.

Takimi i fundit në këtë nivel në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja është zhvilluar më 23 tetor në Bruksel. Prej atëherë nuk ka pasur takime tjera.

Sipas burimeve diplomatike të BE-së, Lajçak u ka raportuar ndërkohë përfaqësuesve të vendeve anëtare për gjendjen me dialogun dhe ka thënë se palët kanë treguar mungesë të qartë të gatishmërisë dhe vullnetit për të bërë ndonjë progres në zbatimin e marrëveshjes mes dy vendeve.

Ndërkohë, përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas, ka shprehur gatishmërinë që të angazhohet aktivisht në procesin e dialogut.
Mandati i të dërguarit të Posaçëm për Dialog, Miroslav Lajçak, i vazhduar disa herë, do të përfundojë në fund të muajit janar të vitit që vjen.

Ndërkohë pritet që Kaja Kallas, në bashkëpunim me vendet anëtare, të vendosë lidhur me vazhdimin e dialogut, përfshirë edhe rreth asaj se a do të ketë pasardhës të Lajçakut në atë pozitë dhe kush do të jetë ai.

Bashkimi Evropian do të përsërisë sot thirrjen për Kosovën dhe për Serbinë që “pa vonesa dhe pa parakushte të zbatojnë Marrëveshjen për rrugën drejt normalizimit të raporteve dhe aneksin për zbatimin e saj, sikur edhe të gjitha obligimet tjera që kanë dalë nga procesi i dialogut”.

Për Kosovën do të përsëritet thirrja që pa vonesa të nisë procesin e themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, ndërsa për Serbinë të nisë procesin për njohjen e dokumenteve dhe simboleve të Kosovës.

Kosovës dhe Serbisë do t’iu përsëritet sërish se përparimi në procesin e normalizimit të raporteve do të vazhdojë të jetë kusht edhe për rrugëtimin e tyre në procesin e integrimit në BE.

Këto thirrje pritet të jenë në konkluzionet për zgjerim që do të miratohen të martën në takimin e Këshillit të çështjeve të përgjithshme të BE-së.


Shtuar 17.12.2024 17:13