Turizmi i dimëror apo turizmi i bardhë sikurse thuhet zakonisht, po merr zhvillim të vrullshëm në të gjitha zonat malore të Bashkisë së Librazhdit pasi kjo zonë është shumë e pasur me to.
Prej disa vitesh turizmi malor në këtë Bashki, është shndërruar në një nga tendencat më të pëlqyera jo vetëm të shqiptarëve, por edhe të huajve të cilët vizitojnë vendin tonë.
Dimri i këtij viti e ka rritur edhe më shumë tendencën e turistëve drejt zonave malore të Librazhdit. Që nga mesi i Nëntorit, dëbora ka mbuluar malet e kësaj zone dhe është kthyer në një mundësi e shkëlqyer për të kaluar këndshëm dhe ndryshe ditët e fundit të vitit 2024, përmes udhëtimeve apo sporteve dimërore duke i shijuar maksimalisht pejsazhet e mrekullueshme të natyrës së bukur të malësisë së Librazhdit, e cila ka destinacione të shumta që preferohen për pushimet dimërore .
Destinacioni më perfekt për të provuar aventura fantastike, është Parku Kombëtar i Shebenikut dhe Maja e Kallkanit, e cila ka një lartësi mbi nivelin e detit prej 2100 metra.
Këtu ndodhet edhe shtegu më i preferuar nga të gjithë turistët, i cili fillon në periferi të fshatit turistik Steblevë dhe përshkon mes për mes masivet pyjore të ahut, nëpërmjet luginës së Kallkanit me një gjatësi që shkon deri në 6 km.
Gjatë Dhjetorit të këtij viti, në Parkun Kombëtar të Shebenikut, ka patur një dyndje të madhe vizitorësh ditorë por edhe grupe turistësh vendas e të huaj që kanë preferuar ta kalojnë fundjavën, duke përjetuar edhe rënien e dëborës si edhe akomodimin në bujtinat e Fushë-Studnës.
Nga burimet zyrtare nga Administrata e Parkut Kombëtar të Shebenikut, konfirmohet se nga fillimi i muajit Nëntor deri në 10 Dhjetor të këtij viti, ka patur rreth 32 mijë vizitorë nga të cilët disa mijëra kanë qenë turistë të huaj të cilët pas asfaltimit rrugës kombëtare Librazhd-Bulqizë, qarkullojnë më lehtë drejt zonave malore dhe Parkut Kombëtar të Shebenikut.
Shumë nga turistët e huaj gjatë këtij fillim dimri, preferojnë të përshkojnë të gjithë aksin rrugor veri- lindor nga Kukësi deri në Korçë, nëpërmjet rrugës që kalon në malësinë e Librazhdit, duke qarkulluar kryesisht me motorrë, auto kamping dhe makina of road.
Në Parkun Kombëtar të Shebenikut, nisur nga pozicioni gjeografik, lartësia mbi nivelin e detit dhe pranisë së masiveve të mëdha pyjore ka shumë reshje të dëborës, ndryshe nga disa male të Europës ku ngrohja globale ka patur efektin e saj negativ te rënia e reshjeve të dëborës.
Rënia e shpeshtë e dëborës së dendur në Parkun Kombëtar të Shebenikut, si dhe publikimi i fotove apo videove nga vizitorët dhe turistët e aventurës që e frekuentojnë këtë perlë të turizmit malor, nxit së tepërmi dyndjen drejt kësaj zone të turistëve të huaj, por edhe të turistëve vendas sidomos të atyre nga Elbasani, Tirana, Durrësi, Fieri, Lushnja, Vlora etj.
Kjo ka bërë që shumë nga bizneset vendase të Njësisë Administrative Steblevë, sidomos në fundjavë të jenë të tejmbushura.
Të gjitha bizneset vendase, kanë qasje në ofrimin e produkteve lokale dhe gatimeve tradicionale të zonës, të cilat preferohen shumë si mishi i freskët, djathi, gjiza, qumështi, gjalpi, mjalti, turshitë dhe plot produkte të tjera të shëndetshme.
Malet e mbuluara me dëborë dhe pamjet panoramike të malësisë së Librazhdit, janë arsyeja kryesore që tërheqin qindra e mijëra turistë për t`i vizituar këto destinacione, por edhe për të kaluar aty pushime dimërore.
Zona malore e Librazhdit po kthehet në preferenca e shumë prej familjeve shqiptare, të cilet zgjedhin aventurat në dëborë për të kaluar festa ndryshe nga ato të zakonshmet, deri tek ato familjare.
Krahas Parkut Kombëtar të Shebenikut, në Bashkinë e Librazhdit një numër i konsiderueshëm turistësh, preferojnë edhe Malin e Xhyrës, Dardhën,Sopotin ,Polisin e Qarrishtën.