Ditën e sotme, GJKKO ka rrëzuar kërkesën e kryebashkiakut të Tropojës, Rexhë Byberi, për masë më të butë sigurie se ajo e arrestit në shtëpi.
Byberi dhe vartesi i tij, nën/kryetari Abedin Kërrnaja akuzohen për shpërdorim detyre në bashkëpunim lidhur me hapjen e 2 akseve rrugore.
Byberi dhe nën/kryetari Kërrnaja akuzohen se kanë vepruar në kundërshtim me ligjin për miratimin e rregullores së zhvillimit të territorit për akset rrugore, “Stacioni i Anijes Palç- Guri i Lules” dhe “Qafë Murrizi- Qafë Agri”.
Zyrtarët nuk kanë ndërvepruar as me institucionet e tjera kompetente si : Agjencia Kombëtare e Mjedisit, ndikimin në mjedis dhe me Ministrinë e Linjës për impaktin e ndërtimit të rrugës së re dhe pasojat e këtyre punimeve.
Sipas SPAK, nga ekspertimi tekniko-topografik rezulton se hapja e rrugëve në kundërshtim me aktet ligjore e nënligjore ka sjell një dëm ekonomik prej 277 milion lekësh ose rreth 2.5 milion euro.
Njoftimi:
Kërkuesi Rexhe Byberi me datë 14.11.2024 ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: “Zëvendësimin e masës së sigurimit personal “Arrest në shtëpi”, parashikuar nga neni 237 i Kodit të Procedurës Penale, caktuar me Vendimin nr. 112, datë 06.09.2024, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me një masë më të lehtë”.
2. Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtare Etleva Deda, bazuar në nenet 246 pika 6 dhe 260 të K.Pr.Penale, me vendimin Nr. 654, datë 13.12.2024, vendosi:
1. Rrëzimin e kërkesës së kërkuesit/personit nën hetim Rexhe Byberi, me objekt: “Zëvendësimin e masës së sigurimit personal “Arrest në shtëpi”, parashikuar nga neni 237 i Kodit të Procedurës Penale, caktuar ndaj tij me Vendimin nr. 112, datë 06.09.2024, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me një masë sigurimi më të lehtë.”, si të pambështetur në ligj dhe prova.
2. Shpenzimet gjyqësore i ngarkohen kërkuesit.
3. Kundër këtij vendimi lejohet ankim brenda afatit ligjor në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
Tiranë, më datë 13.12.2024
Disa ditë më parë PD akuzoi Byberin se kishte thyer masën e arrestit shtëpiak. Genta Vangjeli, zëdhënësja e antikorrupsionit në PD pretendoi gjatë një konference për shtyp se “Byberi, më 6 Dhjetor është paraqitur në zyrën e tij për të bërë takim me administratën e Bashkisë”.