Euronews Albania, ka siguruar dosjen e plotë të skandalit të mikrokredive të çuar nga Prokuroria e Tiranës, për hetime të mëtejshme në SPAK.
Si bëhej mashtrimi me pasoja të rënda nga grupi i strukturuar kriminal?
Fiqiri dhe Zahide Bruci, nuk e kishin menduar asnjeherë se marrja e një overdrafti për shkollimin e fëmijëve, do t`i përfshinte më vonë në një skemë mashtrimi dhe përndjekje problemesh ekonomike, nga e cila nuk kanë dalë edhe sot.
Pa i vënë në dijeni banka i shiti ‘MCA Albania’, debin/detyrimin e kamatës prej vetëm 7 mijë lekësh të cilën e shlyen 20-fish. Në vorbullën dhe skemës e presioneve, ku ju bllokuan dhe llogaritë e pagave, kjo familje iu nënshtrua kushteve të paligjshme, duke u detyruar të merte një kredi konsumatore e cila po ashtu më vonë iu shit një tjetër institucioni financiar që bashkëpunonin në këtë skemë.
“Përvec dëmit të madh ekonomik, neve na është shkaktuar një dëm i madh psikologjik dhe moral prej të cilit familja ime nuk po mundet të jetojë normalisht ”, ka deklaruar Fiqiri Bruci në Prokurorinë e Tiranës.
Në arsyetimin dhe shembujt e prokurorëve Ndini Tavani, Antoneta Sevdari dhe Arben Agovi që vendosën ta çojnë dosjen në SPAK, renditet dhe rasti fatkeq i Pal Trashaj që i dha fund jetës duke pirë fotoksinë pasi ishte përfshirë në ‘vorbullën’ e mikrokredive.
“Pal Trashaj, pavarësisht ankesave të tij të shumta vendosi të paguante një detyrim goxha të lartë dhe mendoi se e zgjidhi “hallin” me bllokimin e pronave të tij dhe pagoi 360,500 lekë duke shlyer në total detyrimin. Por pronat e tij nuk u zhbllokuan sepse për një detyrim tjetër që sipas MCA, i kishte fillesat në vitin 2008, në vlerën 27,935 Leke ishin vendosur sekuestro mbi pasuritë e tij nga përmbaruesi Fatos Alimadhi, madje kishte filluar edhe procedura e shitjes në ankand nga përmbaruesi Rigels Bejko”, thuhet në dosjen e prokurorisë.
Të ashtëquajturat ristrukturimet e kredive, apo ankandet fiktive janë raste të tjera ku është ndalur prokuroria e Tiranës.
“Një mënyrë tjetër e paligjshme e përdorur nga shoqëritë MCA dhe Final është kalimi i pronave me ankande fiktive. Kjo skemë është përdorur gjatë viteve po ka marrë përmasa masive në vitin 2023, siç u përshkua më sipër gjatë vitit 2023 janë zhvilluar më shumë se 2000 ankande fiktive”, evidenton organi akuzës.