Ndërtoi urë për të motrën/ PD: Kryebashkiakja e Tropojës të japë dorëheqjen, të nisë hetimi

Ditën e sotme, Partia Demokratike, ka reaguar lidhur me denoncimin e publikuar nga emisionit “Piranjat”, ku kryebashkiakja në detyrë e Tropojës, Zyra Islamaj, ndërtoi një urë me lekët e taksapaguesve për të motrën e saj.

Gjithçka nis me një tender të hapur nga bashkia për rikonstruksion, apo ndërtim të disa urave në Bashkinë e Tropojës.

Ky do të ishte momenti ideal që Zyra Islamaj, të ndërhynte tek ndërtuesi Rrok Gega, për të ngritur një urë të përsonalizuar mbi përroin që kalon fare pranë shtëpisë së motrës.

Për këtë, zyrtarja e lartë e bashkisë do të ngarkonte, teknikun e mirëmbajtjes së rrugëve, Agim Demiraj që të asisonte ndërtuesin duke i treguar vendin ku ka shtëpinë motra e saj dhe të ndiqte punimet, si dhe të insistonte tek ndërtuesi që ura të ndërtohej sa më shpejt. Sapo Demiraj kupton se diçka nuk shkonte, vendos të përballet me kryetaren në detyrë dhe e refuzoi.

Por, pas refuzimit nga ana e tij, nisi një ”hakmarrje” nga Islamaj, duke e transferuar atë nga qytetit i Bajram Currit në fshatin Lekbibaj, 120 kilometra vajtje-ardhje nga qyteti, pavarësisht se ai kishte rreth 3 dekada punë në Bashkinë e Tropojës dhe është në prag pensoni.

Zëdhënësja e anti-korrupsionit në PD, Genta Vangjeli, në një deklaratë nga selia blu tha se përfshirjen e Zyra Islamajt në ndërtimin e urës familjare për motrën, e pranoi dhe vetë kontraktori i cili zbatonte punimet duke u shprehur se “ndërtimi i urës për motrën e kryetares nuk ka qenë në procedurat e tenderimit dhe se ky i fundit do t`ja bënte “dhuratë”.

Partia Demokratike, i kërkon Zyra Islamajt që të japë dorëheqjen, teksa i bëri thirrje dhe organeve përkatëse që të nisin hetimet ndaj saj.

Deklarata e plotë e Genta Vangjelit:

Pak ditë më parë emisioni investigativ “Piranjat” denoncoi Bashkinë Tropojë për skandalin lidhur me tenderin me objekt “Ndërtim e rikonstruksion urash, Bashkia Tropojë”.

Znj. Islamaj e cila është përgjegjëse për drejtimin dhe administrimin e bashkisë, pas masës së sigurisë të vendosur nga SPAK për kryetarin gjithashtu të denoncuar nga PD z.Rexh Byberi, njëherësh në cilësinë e personit përgjegjës për këtë prokurim, duket se ka vijuar me favorizimin e familjarëve duke urdhëruar ndërtimin e një ure … për motrën e saj. Ajo i kërkoi kontraktorit të ndërtonte një urë të përsonalizuar mbi përroin që kalon fare pranë banesës së motrës.

Për këtë, znj. Islamaj detyroi, teknikun e mirëmbajtjes së rrugëve, Agim Demiraj që të asisonte ndërtuesin duke i treguar vendin ku ka shtëpinë motra e saj, të ndiqte punimet, si dhe të këmbëngulte tek ndërtuesi që ura të përfundonte sa më shpejt.

Mirëpo Demiraj refuzoi të përfshihej në shkeljen e ligjit duke qenë se ndërtimi i urës për motrën e kryetares nuk ka qenë pjesë e procedurës së prokurimit.

Për këtë refuzim kryetarja në detyrë do të ”hakmarrej” ndaj Agim Demiraj duke e transferuar atë nga qytetit i Bajram Currit në fshatin Lekbibaj, 20 kilometra vajtje-ardhje nga qyteti, pavarësisht se kishte rreth 3 dekada punë në Bashkinë e Tropojës dhe në prag pensoni.

Përfshirjen e Islamajt në ndërtimin e urës familjare për motrën, e pranoi dhe vetë kontraktori i cili zbatonte punimet duke u shprehur se “ndërtimi i urës për motrën e kryetares nuk ka qenë në procedurat e tenderimit dhe se ky i fundit do t`ja bënte “dhuratë”.

Kështu janë mësuar zyrtarët e Edi Ramës sipas sloganit “ne ecim para” duke perceptuar detyrën dhe asetet shtetërore si personale dhe familjare, duke urdhëruar përfitime në shkelje flagrante të ligjit, e për të gjithë ata që nuk i binden ka penalitete….

Kryetarja në detyrë e bashkisë Tropojë të japë dorëheqjen menjëherë dhe dhe të nisin procedurat hetimore nga oganet përkatëse.

 

 

 

 


Shtuar 8.12.2024 11:42