Monika Kryemadhi paraqitet në Prokurorinë e Posaçme

Këtë të hënë, deputetja e Partisë së Lirisë, Monika Kryemadhi, është paraqitur në Prokurorinë e Posaçme në zbatim të vendimit të Gjykatës.

Sipas vendimit, Kryemadhi duhet të paraqitet të hënën e parë të çdo muaji. Ajo ka mbërritur në SPAK me një pako të madhe në duar, me sa duket dokumente për çështjen e saj.

Monika Kryemadhi po hetohet për korrupsion, pastrim parash dhe mosdeklarim e fshehje pasurie nën masën e sigurisë detyrim paraqitje, ndërsa ish bashkëshorti i saj, Ilir Meta ndodhet në burg për të njëjtat akuza.

Ish-presidenti Ilir Meta, aktualisht kryetar i Partisë së Lirisë në opozitë, akuzohet nga Prokuroria e Posaçme për tre çështje korrupsioni; për dosjen e njohur si CEZ-DIA, për përfitimin e vlerave monetare në këmbim të influencës së ushtruar në favor të një kompanie telekomunikacioni si dhe për marrëdhënien e dyshuar korruptive me një biznesmen, në emër të të cilit është marrë përsipër ndryshimi i një ligji në Kuvendin e Shqipërisë.

Meta dhe Kryemadhi, i mohojnë akuzat dhe e konsiderojnë hetimin kundër tyre, si të motivuar politikisht për të sulmuar opozitën në Shqipëri.


Shtuar 2.12.2024 12:07