Zgjidhen 9 anëtarët e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi për vitin 2025 (EMRAT)

Këtë të hënë në Presidencë, u hodh shorti për zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi (KED), që do të funksionojë përgjatë vitit 2025.

Procedura e hedhjes së shortit, u ndoq nga Presidenti i Republikës, Bajram Begaj.

Gjithashtu, në hedhjen e shortit ishin të pranishëm Avokati i Popullit, përfaqësues nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë, Gjykata Kushtetuese, Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë, si edhe përfaqësues ligjorë nga EURALIUS dhe ODAPT.

Nga hedhja e shortit u përzgjodhën si anëtarë të KED:

Marjana Semini – Gjyqtare në Gjykatën Kushtetuese

Ilir Toska – Gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese

Sokol Sadushi – Gjyqtar në Gjykatën e Lartë

Fuat Vjerdha – Gjyqtar në Gjykatat e Apelit

Enkela Vlora – Gjyqtare në Gjykatat e Apelit

Alma Muça – Prokurore në Prokurorinë e Përgjithshme

Irma Balli – Prokurore nga Zyrat e Prokurorive pranë Gjykatave të Apelit

Etien Kapo – Prokurore nga Zyrat e Prokurorive pranë Gjykatave të Apelit

Nafije Hasko – Gjyqtare nga Gjykatat Administrative

Përveç nëntë anëtarëve, në përputhje me përcaktimet ligjore, shorti përcaktoi edhe gjashtë anëtarët zëvendësues të KED, si më poshtë:

Marsida Xhaferllari – Gjyqtare në Gjykatën Kushtetuese

Medi Bici – Gjyqtar në Gjykatën e Lartë

Thoma Jano – Prokuror në Prokurorinë e Përgjithshme

Elvana Çiçoli – Gjyqtare në Gjykatat e Apelit

Genti Xholi – Prokuror nga Zyrat e Prokurorive pranë Gjykatave të Apelit

Bezart Kaçkini – Gjyqtar nga Gjykatat Administrative

Këshilli i Emërimeve në Drejtësi përbëhet nga 9 anëtarë të përzgjedhur me short, nga radhët e gjyqtarëve dhe prokurorëve, ndaj të cilëve nuk është dhënë masë disiplinore.

Presidenti i Republikës përzgjedh me short, midis datave 1 dhe 5 dhjetor të çdo viti kalendarik, dy gjyqtarë nga Gjykata Kushtetuese, një gjyqtar nga Gjykata e Lartë, një prokuror nga Prokuroria e Përgjithshme, dy gjyqtarë dhe dy prokurorë nga gjykatat e apelit, si dhe një gjyqtar nga gjykatat administrative. Nëse Presidenti i Republikës nuk arrin të zgjedhë anëtarët deri në datën 5 dhjetor, Kryetari i Kuvendit i zgjedh ata me short brenda datës 10 dhjetor të atij viti kalendarik.

Gjithashtu, zgjidhen me short si anëtarë zëvendësues për nivelin përkatës, një gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese, një gjyqtar i Gjykatës së Lartë, një prokuror nga Prokuroria e Përgjithshme, një gjyqtar nga gjykatat e apeleve, një prokuror nga prokuroritë pranë gjykatave të apelit dhe një gjyqtar nga gjykatat administrative.

Anëtarët e zgjedhur të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi e ushtrojnë detyrën më kohë të pjesshme, pa u shkëputur nga funksionet e tyre të zakonshme, për një mandat njëvjeçar, që fillon në datën një janar të çdo viti kalendarik.