Noizy ka lënë qelinë. Reperi i njohur është liruar nga Policia e Kosovës, vetëm një ditë pas vetëdorëzimit të tij pranë Komisariatit në Pejë.
Lajmin e ka bërë të ditur vetë reperi përmes një video të publikuar në llogarinë e tij në “Instagram”. Përpos lajmit të dhënë, Noizy shfrytëzoi këtë postim edhe për t’i uruar fitoren presidentit të ardhshëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
“Respekte për drejtësinë e RKS! Rroft Trump” , shkruan Noizy.
Noizy u dorëzua në Policinë e Pejës ditën e djeshme lidhur me ngjarjen e ndodhur muaj më parë. Kujtojmë se mëngjesin e 1 gushtit të këtij viti, reperi bashkë me shokët e tij u përfshinë në një sherr me personazhin e Tik Tok, Medi Iseni jashtë ambienteve të një diskoteke në Pejë të Kosovës.
Nga ky sherr mbeti i lënduar rëndë Iseni, i cili u dërgua në spital, ndërsa autoritetet kosovare shpallën në kërkim reperin Noizy, shokun e tij, dj.Crax si dhe reperin Stresi për ndihmë në këtë konflikt.
Vetëm disa ditë më pas, konkretisht më 7 gusht u bë i mundur arrestimi i Noizyt si dhe Dj të tij, Bahtjar Bajraktari. Qëndrimi i Noizyt në qeli zgjati vetëm 1 javë pasi Gjykata e Durrësit më 16 gusht liroi reperit kundrejt garancisë, 50 milionë lekë të vjetra.