Statistikat e mbrojtësit/ Kumbulla bëhet gati për derbin dhe duelin me Levandovskin

Në Spanjë luhet Java e 12-të edhe pse në disa zona nuk mund të flitet më për futboll pas dramës që sollën kushtet e vështira atmosferike që goditën zonën e Valencias.

Në rajonin e Katalonjës do të luhet derbi i famshëm mes Espanjolit dhe Barcelonës, të cilat do të ndeshjen sot në orën 16:15. Për këtë takim shikohet me mjaft interes dueli mes Marash Kumbullës dhe Robert Levandovskit.

Për polakun flasin golat e shënuar (plot 14) ndërsa për shqiptarin statistikat janë inkurajuese. Ai është lojtari me më shumë interceptime (11), bllokime (14) dhe largime topi (61) në ekipin e tij. Ndërsa për numrin e dueleve ajrore të fituara Kumbulla është i dyti mes lojtarë të Espanjol me 20 të tilla.

Por 24-vjeçari nuk ka dhënë kontributin e tij vetëm në fazën mbrojtëse. Ai kryeson në ekip sa i përket përqindjes së pasimeve të sakta (86%) duke i dhënë qëndrueshmëri dhe siguri Espanjolit edhe në fazën e ndërtimit të aksioneve.

Këto rezultate jo vetëm nënvizojnë rikthimin e Kumbullës në një nivel shumë të lartë, por konfirmojnë edhe rolin e tij vendimtar brenda skuadrës.


Shtuar 3.11.2024 14:28