“Nënës i çuan në morg trupin e djalit 20-vjeçar”, viktimat e pafajshme që krimi u ka marrë jetën

Mbrëmjen e djeshme, një tjetër atentat mafioz në Shqipëri, shkaktoi një viktimë që nuk ka lidhje me larjen e hesapeve mes grupeve kriminale, por u gjend në vendin dhe kohën e gabuar.

Flutra Basha, humbi jetën pasi një automjet i bërë “shoshë” nga plumbat, doli jashtë kontrollit dhe goditi motorin ku udhëtonte ajo së bashku me bashkëshortin. Goditja rezultoi fatale për gruan. Mjafton të bëjmë një bilanc të viteve të fundit, për të kuptuar se të shumtë janë njerëzit e pafajshëm që nuk janë kursyer nga dora kriminale.

Më 26 Qershor 2021, 4 persona mbetën të vrarë dhe 2 të tjerë u plagosën, pas një sherri për shezlongë në Velipojë.

Një prej viktimave ishte kamarieri i lokalit aty pranë, 20-vjeçari Myzerim Zeneli, i cili e kishte ditën e tij të parë të punës.

Siç ka treguar nëna e tij, 3 ditë para ngjarjes ai festoi maturën bashkë me shokët. Madje ajo kishte ëndërruar t’i blente xhaketën më të bukur, por nuk ia doli dot.

Nëna e tij punonte në morgun e qytetit dhe nuk e kishte menduar kurrë, se atë ditë do i çonin trupin e pajetë të djalit të saj.

Tirana u trondit nga breshëritë e armës së zjarrit mbrëmjen e 12 Marsit 2023. Të shtënat ishin drejt një lokali në pronësi të vëllezërve Murati. Si pasojë e plumbave, humbi jetën banakierja 58-vjeçare Mimoza Paja, e cila punonte 16 orë në ditë. Në një nga tavolinat e lokalit ishte mbesa e saj, e cila nuk mund të qëndronte vetëm në shtëpi. Ulej e priste gjyshen derisa të mbaronte punën.

Erion Çela, 35-vjeç, u vra gabimisht më 4 Janar të vitit 2024 në një lokal në Don Bosko. Shënjestër e atentatit ishte Geron Hasanbelliu. Autorët ngatërruan objektivin.

Gledio Muka, kamarieri 36-vjeçar dhe 47-vjeçari Marsel Çela (klient në lokal) humbën jetën tragjikisht më 21 Korrik 2024, në një lokal në Memaliaj. Atentati kishte në shënjestër babai Andrea Kalemit.

Tritoli në një pallat në Elbasan më 15 Korrik 2024, ku “objektiv” ishin motrat Alda dhe Xhovana Nikolli, i mori jetën aksidentalisht komshiut të tyre. 29-vjeçari Enea Themollari vdiq më 4 Tetor 2024 në spital.

Sot, më 30 Tetor 2024 u aksidentua për vdekje Flutura Basha (56-vjeç), pasi u përplas nga makina që ishte në shënjestër të atentatorëve në Dobraç të Shkodrës. Në gjendje të rëndë shëndetësore është bashkëshorti i saj Bashkimi (67-vjeç).


Shtuar 31.10.2024 07:54