Qendra për Hapje dhe Dialog në bashkëpunim me Klubin e Dramës, të Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë në Universitetin të Tiranës, sollën mbrëmjen poetike “Me gjuhë t’veten rrnoftë Shqypnia” kushtuar At Gjergj Fishtës, një ndër përfaqësuesve më të spikatur të kulturës dhe letërsisë kombëtare, publicist antikonformist, atdhetar dhe klerik me vlera të rralla shpirtërore dhe intelektuale.
Mbrëmja u shoqërua nga tingujt e korit “VOX IUVENUM” në drejtimin e maestro Harlen Nikolli, si dhe interpretimet nga të rinjtë e Klubit të Dramës. Pjesëmarrës në aktivitet ishin figura të spikatura si Mark Marku, Persida Asllani, Atë Flavio Cavallini, Kastriot Gjika, Erenestina Gjergji Halili, akad. Gjovalin Shkurtaj, Kristaq Jorgo, Albi Lushi, baritoni Anduel Kovaçi, Kozeta Hoxha e shumë studiues të veprës së Fishtës dhe studentë të Degës së Gjuhës dhe Letërsisë.
Atë Gjergj Fishta është konsideruar si figura më e madhe dhe më e fuqishme e letërsisë shqiptare të gjysmës së parë të shekullit XX, i cili më shumë se cilido shkrimtar tjetër i dha shprehje artistike shpirtit kërkues të shtetit të ri sovran të shqiptarëve.