90-vjeçari italian i dhuron 200 mijë € të dashurës shqiptare 48 vjet më të vogël, alarmohet familja e tij

Një histori e pazakontë dhe e ndërlikuar ka dalë në pah nga Rimini, ku një 90-vjeçar italian ka mbajtur të fshehtë një lidhje jashtëmartesore me një shqiptare 48 vite më të re se ai, për 20 vjet.

Të dhënat për këtë marrëdhënie dolën në sipërfaqe përmes një transferte bankare prej 40 mijë eurosh që ai po përgatitej t’i bënte ish-të dashurës së tij, e cila tani është 42 vjeçe.

Familja e tij, e alarmuar nga shuma e madhe, denoncoi gruan për “abuzim me gjendjen e dobësisë ose të mangësisë mendore” të një personi të paaftë, sipas nenit 643 të Kodit Penal Italian. Pas kallëzimit, prokuroria bllokoi llogaritë bankare të të dyve, duke ndaluar kështu çdo transferë. Avokati i gruas pretendon se ajo nuk ka bërë asnjë vepër penale.

90-vjeçari italian, ish-menaxher, ka pasur një jetë të suksesshme dhe ka qenë i njohur për natyrën e tij të vendosur. Ai u takua me gruan shqiptare në vitin 2004, kur ajo punonte si banakiere, u dashurua me të dhe lidhja e tyre u zhvillua në mënyrë të fshehtë. Ajo ishte një mbështetje për të dhe ai i kishte bërë shumë dhurata gjatë viteve.

Sipas avokates mbrojtëse të vajzës së të moshuarit, e përfaqësuar nga Giovanna Ollà, e cila denoncoi ish-të dashurën e babait të saj, me kalimin e kohës ato dhurime u bënë gjithnjë e më të shpeshta dhe madje bujare, me një vlerë të llogaritur në 200 mijë euro. Sipas familjarëve të 90-vjeçarit, gruaja shqiptare (inicialet apo emri i të cilës nuk publikohet), e ka mashtruar të dashurin e saj, duke përfituar nga mosha e tij, veçanërisht kohët e fundit, duke e bindur që t’i jepte dhurata dhe para.

Pas kallëzimit të vajzës së tij, ai ndihet i prekur dhe ofenduar nga akuzat e paaftësisë mendore, ndërsa prokuroria ka kërkuar një vlerësim psikiatrik për të. Të dy palët tani presin rezultatin e këtij vlerësimi, i cili mund të ndikojë në rrjedhën e çështjes.


Shtuar 14.10.2024 18:34