Me propozim të Ministrisë së Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave miratoi në mbledhjen e tij, vendimin që përmirëson ndjeshëm trajtimin financiar të personelit të Forcave të Armatosura.
Ministria e Mbrojtjes, thotë se ky vendim synon të forcojë kapacitetet kombëtare dhe të përmirësojë cilësinë e shërbimeve të Mbrojtjes Civile.
Rreth 6.000 efektivë, do të përfitojnë nga ky vendim; 2.500 prej tyre e marrin për herë të parë shtesën mbi pagën.
Trajtim më të mirë financiar do të përfitojnë edhe kapacitete kombëtare si; Forcat Speciale, pilotët, inxhinierët dhe teknikët e mirëmbajtjes, Njësia Cyber, Dronët, forcat e dedikuara për emergjencat civile dhe shumë e shumë kapacitete të tjera.
“Trajtimi financiar për personelin fluturues dhe mbështetës, sipas këtij vendimi, do të variojë deri në 100.000 lek mbi pagën në muaj dhe nga ky vendim përfitojnë rreth 200 ushtarakë.
Për efektivët e Agjencisë së Inteligjencës, trajtimi financiar mbi pagën shkon deri në 20.000 lek në muaj për rreth 150 ushtarakë.
Për ushtarakët aktivë të strukturave të tjera, shtesa mbi pagën shkon deri në 70.000 lek në muaj, duke përfshirë edhe ata ushtarakë që nuk e kanë përfituar më parë këtë shtesë”, shkruan ministri i Mbrojtjes.