Shefi i policisë dhe ‘i shumëkërkuari’ vdesin në rrëzimin e helikopterit në El Salvador

Kreu i policisë së El Salvador, Mauricio Arriaza Chicas, i njohur për drejtimin e “luftës ndaj bandave” dhe i shumëkërkuari vendas Manuel Coto, kanë vdekur bashkë me disa zyrtarë të tjerë nga rrëzimi i papritur i helikopterit me te cilin udhetonin, njoftonte ushtria e vendit.

Mauricio Arriaza ishte në krye të fushatës ekstreme të El Salvador kundër bandave kriminale të nisur prej marsit 2022, ku janë arrestuar rreth 80,000 të dyshuar me një sistem të kontestuar pa mandate gjykate.
Helikopteri mbante gjithashtu Manuel Coto, ish-drejtuesin e kredituesve Cosavi, i cili ishte arrestuar së fundmi në Honduras. Coto ishte prej disa kohësh në arrati për përvetësimin e 35 milionë dollarëve, thonë autoritetet vendase.

“Me trishtim konfirmojmë rrëzimin e helikoperit UH-1H të forcave ajrore të Salvadorit, në Pasaquina”, qyteza rreth 180 kilometra larg kryeqytetit San Salvador, njoftonte ushtria.

Të tjerë të vrarë në aksident ishin zyrtarë të lartë të policisë dhe dy pilotët me eksperiencë. Nja gazetar i rrjetit shtetëror Canal 10 TV tha se në mjet humbi jetën David Cruz, drejtor komunikimesh në ministrinë e drejtësisë.

Shkaqet e aksidentit të rëndë nuk dihen dhe presidenti Nayib Bukele tha se do të kërkonte asistencë ndërkombëtare për hetimet.

“Kjo që ndodhi nuk mund të mbetet një aksident i thjeshtë por duhet të hetohet tërësisht, do të kërkojmë asistencë ndërkombëtare”, shkruante Bukele në rrjetin X. “Drejtori Arriaza Chicas ishte një pjesë themelore e luftës për paqen e sigurinë e popullit”.


Shtuar 9.09.2024 19:50